300 milionë euro ndihmë emergjente për të prekurit nga përmbytja në Gjermani

Ministri i Financave të Gjermanisë, Olaf Scholz, ka premtuar ndihmë emergjente prej 300 milionë euro për të gjithë të prekurit nga përmbytjet e fundit në Gjermani, që kanë lënë mbi 150 të vdekur e qindra të zhdukur.

Scholz ka thënë se shkalla e shkatërrimit është e tmerrshme, derisa ka bërë thirrje që të qëndrojnë së bashku si një vend dhe të ndihmojnë viktimat e përmbytjes.

Ministri u shpreh se të mërkurën do të jetë në Berlin për ta aprovuar kërkesën prej 300 milionë eurove për ndihmë emergjente. Ai shtoi se kostoja e rindërtimit të vendeve të shkatërruara do të kushtojë miliarda euro, por do të kryhet brenda vitit.

“Duhet një shfaqje kombëtare e forcës. Të mërkurën në kabinet, unë dua të vendos dy gjëra në tryezë: Së pari, ndihma emergjente, e cila kërkoi mbi 300 milionë euro dhe së dyti, ne duhet të hedhim themelet e një programi rindërtimi në mënyrë që shtëpitë, rrugët dhe urat e shkatërruara të rregullohen shpejt. Siç e dimë nga katastrofa e mëparshme, kushton miliarda euro. Ndihma e ndërtimit do të marrë më shumë kohë, por gjithçka duhet të kryhet këtë vit’’, deklaroi Scholz për të përditshmen gjermane, Bild.