Në vitet e fundit është shënuar përparim i dukshëm në fushën e transplantimit, por sistemi ende varet kryesisht nga një vendim i vështirë, por human – pëlqimi i familjes së një donatori të ndjerë. Nga Shoqata Kombëtare e pacientëve me mbështetje mekanike të qarkullimit të zemrës theksojnë se një donator i vetëm mund të shpëtojë deri në tetë jetë njerëzish, transmeton Zhurnal.
Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet larg mesatares evropiane për sa i përket dhurimit të organeve. Sigurimi i pëlqimit nga familjet e donatorëve potencialë shpesh është i vështirë, ndërsa lista e pacientëve që presin transplantim është e gjatë dhe për shumë prej tyre kjo ndërhyrje nënkupton vetë jetën.
Veçanërisht të prekur janë pacientët që jetojnë me mbështetje mekanike të zemrës, të cilët përballen çdo ditë me pasiguri dhe sfida të mëdha shëndetësore.
Ndërkohë, dhurimi familjar i organeve është më i përhapur. Një shembull i tillë është Ilço Giovski, i cili ka dhuruar një pjesë të mëlçisë për vajzën e tij nëntë muajshe.
Nga shoqata apelojnë për rritjen e ndërgjegjësimit qytetar dhe për më shumë humanizëm, edhe në momentet më të vështira. Ata rikujtojnë se dhurimi i organeve përfaqëson aktin më të lartë të humanitetit.
Mbështetje për këtë kauzë japin edhe bashkësitë fetare, të cilat e konsiderojnë dhurimin e organeve si një akt mëshire, dashurie dhe shprese.



