30 milionë pasagjerë më pak, në rrugë vetëm 185 nga 341 autobusë: Si arriti transporti publik në Shkup drejt kolapsit?

Qendra për Komunikime Civile publikoi hulumtimin dhe bazën e të dhënave për kapacitetet e Ndërmarrja e Transportit Publik Shkup. Të dhënat tregojnë rënie drastike të numrit të pasagjerëve – nga 52 milionë në vit në 2015 në vetëm 22 milionë aktualisht. Në të njëjtën kohë, është zvogëluar edhe numri i autobusëve në funksion, ndërsa mosha mesatare e flotës është rritur në 13.3 vjet. Mbi 80% e autobusëve janë të prodhuesve Yutong dhe LAZ, ndërsa vetëm 10% përmbushin standardin Euro 6, transmeton Portalb.mk.

Sipas hulumtimit, transporti publik në Shkup po përballet me rënie të vazhdueshme të kapaciteteve dhe shërbimeve. Në vetëm dhjetë vjet, numri i pasagjerëve të transportuar nga autobusët e NTP Shkup ka rënë për 30 milionë në vit – nga 52 milionë në vitin 2015 në 22 milionë në vitin 2026.

“Vetëm në dhjetë vjet, numri i pasagjerëve të transportuar nga autobusët e NTP Shkup është ulur me 30 milionë në vit – në vitin 2015, u transportuan 52 milionë pasagjerë në vit, dhe tani numri i pasagjerëve të transportuar është zvogëluar në vetëm 22 milionë në vit”, thuhet në hulumtim.

Të dhënat tregojnë se ndërmarrja aktualisht disponon gjithsej 341 autobusë, por vetëm 185 prej tyre janë në shërbim çdo ditë, ndërsa realisht në funksion dalin rreth 157 autobusë. Krahasuar me situatën para dhjetë vitesh, kur në funksion ishin 316 autobusë, rënia e kapaciteteve është e dukshme.

“NTP ka gjithsej 341 autobusë, nga të cilët 185 autobusë janë në shërbim çdo ditë, dhe vetëm 157 autobusë vihen në funksion çdo ditë. Numri i autobusëve të NTP Shkup ka qenë në rënie të vazhdueshme në dhjetë vitet e fundit. Dhjetë vjet më parë, kompania kishte 316 autobusë në funksion, ndërsa sot vetëm 185″, thuhet në hulumtim.

Me zvogëlimin e flotës, është rritur edhe mosha mesatare e autobusëve, e cila tani arrin në 13.3 vjet – niveli më i lartë në dekadën e fundit. Pjesa më e madhe e autobusëve, mbi 80%, janë të prodhuesve kinez Yutong dhe ukrainas LAZ, ndërsa në flotë ka edhe dhjetë autobusë të markës Sanos, secili 33 vjeç.

” Me rënien e numrit të autobusëve, mosha mesatare e tyre po rritet, e cila tani arrin në 13.3 vjet, më e larta në dhjetë vitet e fundit. Pjesa dominuese e autobusëve, pra më shumë se 80%, janë nga “Yutong” kinez dhe “LAZ” ukrainas. NTP gjithashtu ka dhjetë autobusë nga marka Sanos, secili 33 vjeç”, vëren hulumtimi.

Sa i përket standardeve mjedisore, vetëm 10% e autobusëve plotësojnë standardin Euro 6, ndërsa shumica funksionojnë me standarde më të ulëta, Euro 4 dhe Euro 5, çka ngre shqetësime për ndikimin në mjedis dhe cilësinë e ajrit në kryeqytet.

“Vetëm 10% e autobusëve të NTP-së kanë standardin më të lartë mjedisor Euro 6, ndërsa të tjerët kanë standardin mjedisor Euro 4 dhe Euro 5”, thuhet ndër të tjera në hulumtim.

Hulumtimi ngre çështjen e gjendjes së transportit publik në Shkup dhe nevojën për investime urgjente, modernizim të flotës dhe rikthim të besimit të qytetarëve në shërbimet publike.

Kujtojmë se kur fitoi mandatin si kryetare e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska premtoi se transporti publik në kryeqytet do të bëhej plotësisht falas dhe më cilësor, si pjesë e programit të saj parazgjedhor për një “Shkup modern”. Në deklarata të ndryshme ajo tha se transporti falas do të zbatohej brenda një periudhe dyvjeçare. Megjithatë, ky premtim nuk u realizua: projekti për transport publik falas nuk nisi fare, nuk u blenë 250 autobusë të rinj, ndërsa qytetarët nuk arritënb ta shohin shërbimin falas që ishte paralajmëruar. Edhe përpjekjet për të sjellë transportues privatë në sistem ose për të rregulluar borxhet ndaj tyre shpesh ishin të dështuara, duke çuar në reduktim të shërbimit dhe probleme në qarkullimin e autobusëve. Tani qytetarët presin me orë të tëra autobusin e linjave të ndryshme, ndryshe nga shumë vite më parë kur autobusët kalonin çdo 15–20 minuta.

Analiza e plotë është e qasshme në këtë LINK.