30 ditë si kryeministër, 10 ndryshimet drastike që pushteti ia detyroi Albin Kurtit

Këto 30 ditë të punës së qeverisë Kurti janë karakterizuar me shkarkime masive në bordet e ndërmarrjeve publike si dhe shfuqizime të vendimeve të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Duke nisur nga shkarkimi i bordit të Telekomit, Trepçës, Infrakos-it e deri tek shfuqizimi i vendimit për rritjen e pagave si dhe zhbërja e pozitave të koordinatorëve, vendimet e qeverisë Kurti janë bërë cak i interpretimeve të ndryshme lidhur me ligjshmërinë e veprimeve të tij.

Sidoqoftë, gjatë këtyre 30 ditëve, opinioni u njoftua edhe me një anë tjetër të Albin Kurtit, atë të kryeministrit që respekton shtetësinë dhe ligjet e shtetit që dikur i refuzonte.

Lajmi.net ua sjell në vijim parimet që Kurti i theu në vetëm një muaj qeverisje, për çështjet të cilat gjatë kohës që ai ishte në opozitë i refuzonte kategorikisht, apo kishte opinion ndryshe për to.

1 . Respektimi i himnit, flamurit dhe simboleve shtetërore – Kurti gjatë kohës që ishte në opozitë, mirëpo edhe gjatë periudhës sa organizonte protesta, nuk e kishte respektuar asnjëherë flamurin shtetëror të Kosovës. Madje, edhe në seanca solemne ku intonohej himni shtetëror, ai nuk ngritej në këmbë as simbolikisht. Kjo ndryshoi me ardhjen e tij kryeministër, ai tani i ngritet në këmbë himnit shtetëror, respekton flamurin sdhe simbolet shtetërore në çdo takim zyrtar që ai zhvillon. Në të kaluarën, Kurti nuk hezitonte që këtë flamur ta quante edhe “lara-lara”.

2.Qëndrimi për dialogun – Para se të vinte në pushtet, Kurti zotohej se ai nuk do të ulet në tavolinë diskutimesh me Serbinë, para se kjo e fundit t’i kërkojë falje Kosovës për krimet dhe gjenocidin e kryer në vitet e 90-ta. Sidoqoftë, as ky parim i Kurtit nuk e pati jetën e gjatë. Pak ditë pasi që ai u zgjodh kryeministër, në media deklaroi se ky nuk është më kusht që ai të ulet në një tavolinë me serbët, por është kusht për të dialoguar me ta. Sidoqoftë, gjatë këtyre ditëve Kurti pati dy përballje me zyrtarët shtetëror serbë, një në Mynih dhe një në Londër. Kurti madje deklaroi se do ta marrë rolin e kryesuesit në bisedimet me Serbinë.

3.Qëndrimi për taksën – Ndryshimi i qëndrimeve për taksën nga Kurti është më multidimensional. Në kohën kur ajo ishte vendosur nga Haradinaj dhe po bëhej presion i madh nga ndërkombëtarët që ajo të hiqet, Kurti kishte dalë kundër një ideje të tillë. Madje, në fillet e formimit të Kurtit si politikan, ai bashkë me militantët e Lëvizjes Vetëvendosje, kishin rrëzuar kamionët që bartnin mallra serbe. E para se të vinte në pushtet, Kurti tha se do ta heqte taksën, në momentin kur do ta vendoste reciprocitetin. Megjithatë, as kjo nuk ndodhi. Kurti propozoi heqjen e pjesshme të taksës, mirëpo më vonë reciprocitetin. Madje, edhe kjo masë mund të mos vendoset fare ndaj Serbisë nëse kjo e fundit sipas Kurtit tregon vullnet të mirë për ndaljen e fushatës së egër kundër Kosovës.

4.Lista Serbe – Gjatë kohës së fushatës mirëpo edhe më herët, kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, ishte i prerë në qëndrimin e tij se në qeverinë që do ta udhëheq ai, nuk do të ketë ministra të Listës Serbe. Sidoqoftë, pak para formimit të qeverisë, Kurti pati edhe takime me partinë ku nënkryetar është i akuzuari për vrasje, Milan Radojiçiq. Kurti tani në qeveri ka dy ministra serbë, dhe ani pse kjo është e kushtëzuar me Kushtetutë, këtë fakt Kurti e dinte edhe në kohën kur deklarohej kundër tyre. Kryeministri i tanishëm në të kaluarën këtyre ministrave u referohej edhe si “çetnikë”.

5.Qëndrimi karshi SHBA-ve – Në kohën kur Vetëvendosje kishte mbushur sheshet e Prishtinës me protestues, në media ishte publikuar një video që kishte ngjallur shumë reagime. Në të fliste vet kryetari i VV-së, Albin Kurti, teksa thoshte se “shqiptarët e kanë frikën e braktisjes nga Amerika”. Kurti nuk do ndalej me kaq, teksa në një tubim partiak me qytetarët thoshte se “si të ndëgjohet një politikan që thotë, Amelika-Amelika, ai është i korruptuar. Sidoqoftë, pas zhvillimeve rreth taksës ndaj Serbisë dhe kërkesës direkte të SHBA-ve që ajo të hiqet, e po ashtu rrezikut të prishjes së raporteve me SHBA-të, Kurti ndryshoi fjalët. Ai tha se Kosova nuk ka partner më të rëndësishëm se SHBA-të, dhe se miqësia me Amerikën është e pazëvendësueshme. Kurti aktualisht si rrjedhojë e veprimeve të tij, dhe refuzimit për heqjen e taksës po e rrezikon seriozisht raportin Kosovë-SHBA, teksa kjo është konfirmuar disa herë edhe nga i dërguari special i presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell.

6.Bashkimi Kombëtar – Ndonëse lindja dhe ngritja e Vetëvendosjes, shtyllë kryesore e pati bashkimin kombëtar, Kurti tani si kryeministër nuk e tha asnjë fjalë për kauzën e dikurshme të Lëvizjes që e krijoi ai vet. Madje, fjalë për të nuk foli as në përmbledhjen e programit qeverisës që e prezentoi në Kuvend, program ky që as pas një muaji nuk është bërë publik. Kurti madje pati edhe një takim të ftohtë e të tensionuar në Tiranë me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, ndërsa patën përplasje të ashpra për mini-Schengenin.

7.Përkulja para varrit të Ibrahim Rugovës- Kurti pasi u zgjodh kryeministër, bëri edhe veprimin që ndoshta s’ishte menduar kurrë që do ta realizonte. Më 17 shkurt, në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, ai u përkul para varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova. Ky akt shënon fundin e një polemike të gjatë e të ashpër të Kurtit me zyrtarët e LDK-së, që shpesh flitej se e kishin kushtëzuar edhe koalicionin me këtë veprim të Kurtit. Kryeministri i tanishëm, Albin Kurti në të kaluarën kishte pasur mospajtime të mëdha politike me Rugovën.

8.Qasja ndaj presidentit Thaçi – Armiqësia politike mes Thaçit e Kurtit njihët si ndër armiqësitë më të mëdha me kundërshtimet më të ashpra në skenën e politikës kosovare. Kurti në një intervistë të bërë para zgjedhjeve, Thaçin e cilësonte si njërin prej tre njerëzve më të rrezikshëm në historinë e popullit shqiptar. Sidoqoftë, pas zgjedhjes së Kurtit kryeministër, ai i zbuti qëndrimet karshi Thaçit. Ditëve të fundit, Kurti është duke kërkuar edhe takime me presidentin për siç thotë ai, “dakordimin për çështjet me interes nacional”.

9.Qasja ndaj opozitës – Përveç me Thaçin, Kurti raporte të acaruara në të kaluarën kishte pasur edhe me kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, teksa ndaj të njëjtit kishte pasur akuza të rënda për të kaluarën e tij. Pas zgjedhjes kryeministër, Kurti kërkoi takim me Veselin si kryetar të PDK-së e Ramush Haradinajn si kryetar të AAK-së. Kërkesat për takim nga Kurti me Veselin e Haradinajn vijnë si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit për taksën, ndërsa Kurti thotë se kërkesa është bërë përsëri për koordinimin e qëndrimeve dhe diskutimeve për temat me rëndësi nacionale.

10 . Transparenca dhe llogaridhënia – Gjatë krejt kohës sa Vetëvendosje ishte në opozitë, Kurti e kishte gojën plot me kritika e akuza për veprime të fshehta dhe mungesë llogaridhënie nga pozita e atëhershme. Sidoqoftë, Kurti në një muaj qeverisje nuk është se ka treguar ndryshim në këtë aspekt. Deri tani plani qeverisës as nuk iu është bërë i ditur deputetëve dhe opinionit. Po ashtu, qeveria e Kosovës në këto 30 ditë të formimit të saj as nuk ka caktuar zëdhënës të saj, ani pse dihet roli i kësaj pozite në komunikimin e qeverisë me qytetarët.