30 ditë paraburgim për 10 personat që sulmuan policët në rrugën Prilep-Veles

Është shqiptuar paraburgim prej 30 ditëve për 10 persona, të cilët të enjten në mbrëmje sulmuan pesë policë duke shkaktuar lëndime të rënda tek njëri zyrtar policor.

Prokuroria njofton se pas parashtrimit të padisë nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, është dhënë urdhër për nisjen e procedurës hetimore kundrejt personave në fjalë, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “sulm ndaj personit zyrtar”.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit, të enjten rreth orës 20:00, në rrugën e vjetër Prilep-Veles, mbi manastirin “Shën Gjergji”, në fshatin Prisad fizikisht kanë sulmuar pesë policë nga Çashka. Policia fillimisht kishte ndaluar tre makina pa targa, njëra prej të cilave ka arritur të arratiset, ndërsa në dy makina tjera, respektivisht në makinën e markës “Shiroko” dhe “Niva” janë gjetur drunj të prera në mënyrë joligjore.

Gjatë kohës kur policia po përgatiste dokumentacionet, disa persona, në mesin e të cilëve edhe të dyshuarit kanë sulmuar policët me gjësende të forta, duke shkaktuar lëndime serioze tek njëri polic, respektivisht frakturë në krahun e majtë dhe gjakderdhje në kokë.