3 zjarre aktive në RMV, 18 u fikën

Në Maqedoninë e Veriut deri sot në ora 08:00 në mëngjes janë regjistruar gjithsej 21 zjarre në hapsira të hapura nga të cilat 2 janë aktive, 1 nën kontroll dhe 18 u fikën.

Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, zjarret aktive janë në:

Komunën e Velesit: Pranë fshatrave Xhidimircë – Krushje – Ivankocë (pyll i përzier)
Komunën e Brodit: Ndërmjet fshatrave Creshnevë, Lokvicë, Krapë dhe Slatinë (pyll i degraduar me lis, shkurre dhe vegjetacion i ulët)
Ndërsa zjarri nën kontroll është në Komunën e Dojranit: fshati Nikolliq (pyll me drunj të ulët).

Zjarret e fikura ndodheshin në disa komuna në gjithë vendin.

Qendra për Menaxhim me Kriza u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe sjellje të përgjegjshme, veçanërisht në kushte të temperaturave të larta dhe motit të thatë, me qëllim të parandalimit të zjarreve të mëtejshme dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor.

Maqedonia e Veriut, edhe këtë verë po përballet me zjarre masive të pakontrolluara, si dhe sërish ka problem me menaxhimin e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve dhe burimeve njerëzore.

Për këtë arsye, ngjashëm si vitin e kaluar, është aktivizuar Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian.

Për të zbutur këtë situatë, me vendim qeveritar pritet që 400 zjarrfikës të përkohshëm do të punësohen dhe të vendosen në Brigadat e Zjarrfikësve Komunal, që është gjysma e numrit të nevojshëm.

Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.

Edhe viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje. Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).