27 vjeçari nga Kosova dënohet me mbi dy vjet burgim në Zvicër, zhvilloi gara ilegale të veturave

Ai është dënuar nga Gjykata e Qarkut të Araut pasi që kishte zhvilluar garë ilegale me vetura para dy viteve në autostradë.

Gara është zhvilluar mes një Ferrari 458 dhe një BMË M5, ndërsa shpejtësia e matur e të dy veturave ishte 196 dhe 191 km/orë.

Bashkë me kosovarin është dënuar edhe garuesi tjetër me shtetësi zvicerane.

Të dy akuzohen se kanë zhvilluar një garë me makina e cila nuk ishte ilegale sipas ligjeve në fuqi në Zvicër, por që ka ndodhur midis lokaliteteve Suhr dhe Baden-Dättëil në mes të tetorit 2019.

Dy garuesit, jo vetëm që kishin shkelur në mënyrë të rëndë dhe të shumëfishtë rregullat elementare të qarkullimit, ata gjithashtu kishin penguar dhe rrezikuar edhe shoferë të tjerë dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Prokuroria ka kërkuar dënimin prej 24 deri në 30 muaj burgim për dy të pandehurit, ndërsa kërkesa ishte që dy të pandehurit të dënohen me burgim efektiv dhe jo me kusht.

Të dy të dënuarit kanë precedentë penal për kundërvajtje në trafik.

Gjykata e ka përfillur kërkesën e prokurorisë por ua ka ulur dënimin të akuzuarve.

Ata u dënuan me 28 muaj dhe 22 muaj burgim dhe gjithashtu duhet të paguajnë edhe një gjobë.