260 milionë ia kërkojnë Kosovës në Arbitrazh, edhe Pacolli në mesin e paditësve

Paditë kundër Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit s’kanë të ndalur. Pas kompanisë së Behgjet Pacollit, Bedri Selmanajt dhe Fox Marble, Arbitrazhit i është drejtuar dje edhe Iute Credit. Në rast të mos përfaqësimit të duhur, shteti rrezikon të humbë miliona euro. Express iu sjell detaje rreth vlerës së këtyre padive dhe përgaditjet e shtetit për t’u përballur me kompanitë në fjalë.

Gazeta Express

Kosova rrezikon të humbasë miliona euro në rastet e arbitrazheve ndërkombëtare. Republika e Kosovës aktualisht është palë e paditur në katër raste të arbitrazhit në fushën e investimeve.

Në mesin e kompanive që kanë dorëzuar padi është edhe kompania e ish-Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit.

“MABCO Constructions”, e ka paditur Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me rastin e Hotel Grandit, të cilin Pacolli e kishte blerë, por që më pas i ishte anuluar ky privatizim.

Padi në Arbitrazh ndaj shtetit të Kosovës ka bërë edhe kompania e ish-zyrtarit të PDK-së, Bedri Selmani.

Selmani e akuzon shtetin për shkelje të rëndë ligjore të afarizmit të ndërmarrjes, që i është bërë nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), përmes ofertimit për dhënien me qira të një pjese të aseteve të “Kosova Petrol”, të cilat, siç pretendon Selmani, nuk ishin as në administrim dhe as në menaxhim të AKP-së.

Përveç kompanive vendore, padi ka ushtruar edhe një kompani nga Britania. E njëjta ka paditur shtetin për një rast në sektorin minerar.

Listës së kompanive që e kanë paditur Kosovën në Abritrazh së fundi i është shtuar edhe kompania nga Estonia, Iute Credit, e cila në tregun e Kosovës operon qe dy vjet.

Në Ministrinë e Drejtësisë i kanë thënë Gazetës Express se kërkesën për Arbitrazh nga “Iute Credit”, e kanë pranuar të mërkurën.

“Po, Ministria e Drejtësisë konfirmon se dje më 4 mars 2020 ka pranuar Kërkesën për Arbitrazh nga Iute Credit kundër Republikës së Kosovës. Aktualisht, Republika e Kosovës është palë e paditur në katër raste të arbitrazhit në fushën e investimeve”, kanë deklaruar në MD.

Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, vlera e këtyre padive shkon në më shumë se 260 milionë euro. Vetëm një kompani ka ushtruar padi në vlerë 195 milionë euro.

“Më konkretisht, procedura në arbitrazh ndërkombëtar kundër Republikës së Kosovës janë nisur nga (i) Mabco Constructions SA – vlera e kërkuar për kompensim është 4 milion Euro; (ii) Bedri Selmani – vlera e kërkuar për kompensim është 65 milion Euro; (iii) Fox Marble LTD dhe Fox Marble Holdings PLC – vlera e kërkuar për kompensim është 195 milion Euro; (iv) AS Iute Credit Europe – ende nuk e kanë përcaktuar vlerën e pretenduar për kompensim”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë drejtuar Gazetës Express.

Për një prej këtyre rasteve, tashmë është mbajtur seanca e parë, derisa tek rasti i Bedri Selmanit, palët për momentin janë në proces të përcaktimit të kalendarit procedural, nga ku edhe do të përcaktohen datat e sakta të seancave.

“Në lidhje me rastin Fox Marble LTD, ende nuk është arritur në fazën e diskutimit të kalendarit procedural, rrjedhimisht është e pamundur të deklarohemi për momentin në lidhje se kur pritet të mbahen seancat. Ngjashëm edhe me rastin e Iute Credit, i cili është pranuar nga Republika e Kosovës vetëm dje”.

Në të gjitha këto raste, Republika e Kosovës do të përfaqësohet nga Avokatura Shtetërore në bashkëpunim me firma ligjore ndërkombëtare si këshilltarë/përfaqësues të jashtëm.

Deri tani, është përzgjedhur vetëm firma që do të përfaqësojë Kosovën në rastin e padisë së ushtruar nga kompania e ish-zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli.

Mbrojtja në këtë rast, do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 500 mijë euro, derisa për rastet e tjera deklarojnë se janë në faza përmbyllëse.

“Tashmë është përmbyllur procedura edhe është përzgjedhur firma gjermane Ëagner Arbitration për përfaqësimin e Republikës së Kosovës në Mabco Construcions SA dhe vlera e kontratës së përfaqësimit për të gjithë procedurën (pra deri në nxjerrjen e Vendimit nga Tribunali i arbitrazhit)është 490000 Euro). Tek të tjerat jemi në fazat përmbyllëse të përgjedhjez apo p.sh. tek Iute Credit në fazat e nisjes së procedurave të përzgjedhjes”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Drejtësisë për Express.

Përveç këtyre rasteve, Kosovës shumë shpejt mund t’i hapet edhe një rast në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Kësaj radhe nga kompania amerikane “Madison Global Strategies”, me të cilën para nëntë muajsh ishte nënshkruar një kontratë lobimi nga ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Kompania amerikane me bazë në Nju Jork është duke kërkuar nga shteti i Kosovës një dëshmpërblim prej gjysmë milioni euro, me arsyetimin për shkelje të kontratës nga pala kosovare. Kjo është trefish më shumë sesa çmimi fillestar i kontratës, që kap vlerën e 152 mijë eurove.

Në bazë të marrëveshjes bazë, MIE obligohej që për çdo muaj të kryente pagesa në vlerë prej 19 mijë euro për kompaninë “Madison Global Strategies, LLC”. Dhe kjo, për nëntë muaj me radhë sa edhe kishte afat kontrata. Në anën tjetër, kompania amerikane ishte e obliguar që të kryente shërbime të konsulencës si dhe këshillim në favor të Ministrisë, e takime me anëtarë të Kongresit dhe të Administratës Trump.

Ndryshe, Kosova, vitin e kaluar ia doli të fitojë një rast aspak të lehtë në Tribunalin e Arbitrazhit. Në fakt ishte padia më e madhe që i ishte bërë shtetit nga kompania gjermane AXOS për rastin e privatizimit të dështuar të Telekomit të Kosovës.

Kjo kompani në padinë ndaj Kosovës kishte kërkuar hiq më pak se 380 milionë euro dëmshpërblim me pretendimet se në mënyrë të paligjshme i ishte mohuar e drejta në privatizimin e Telekomit të Kosovës.

Por, kishte qenë pala mbrojtëse e Kosovës, e cila e kishte dëshmuar të kundërtën dhe falë tyre shteti ka arritur të shpëtoj nga ky ndëshkim multi milionësh.

Rrjedhimisht, Kosova nuk i humbi 380 milionë por i fitoj afër 2 milionë euro me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës së Arbitrazhit.

Në vendimin e arbitrazhit përmendet shpesh profesor Qerim Qerimi, i cili me dëshmitë bindëse që ka ofruar, ka rrëzuar pretendimet e avokatëve mbrojtës të kompanisë gjermane AXOS.

“Kosova ka ofruar dëshmi bindëse në dëshminë e profesor Qerimit dhe ligjeve relevante të Kosovës. Axos e ka sfiduar interpretimin e ligjeve të Kosovës dhe praktikës gjyqësore, por nuk ka ofruar dëshmie ekspertize në këtë aspekt”, thuhet shprehimisht në paragrafin 206 të këtij vendimi./Gazeta Express