24 vjet mosmarrëveshje me Serbinë

25 vjet pas fillimit të luftës së armatosur mes UÇK-së dhe forcave serbe dhe 24 vjet pas Marrëveshjes së Rambujesë, Perëndimi nuk e ka ndalur presionin ndaj Kosovës e Serbisë për një marrëveshje të madhe. Kjo me qëllimin që të arrihet një marrëveshje finale, e cila shmang një konflikt tjetër, për të cilin Perëndimi ka alarmuar disa herë vitet e fundit. Për njohësit e çështjeve politike, aleatët transatlantikë sikurse në kohën e Rambujesë edhe tash janë të gatshëm ta përdorin instrumentin e sanksioneve për të treguar seriozitetin në arritjen e marrëveshjes

Saktësisht 24 vjet më parë Kosova vuri nënshkrimet në një dokument që buroi nga negociatat e para me Serbinë, që për synim kishte parandalimin e një gjakderdhjeje më të madhe, e cila kishte nisur.

Angazhimi diplomatik gjatë viteve 1998-99, i cili u kurorëzua me Konferencën e Rambujesë, nuk i dha fund luftës. Prezenca e palëve në Kështjellën franceze ishte siguruar nën kërcënimin e përdorimit të forcës nga ana e NATO-s, nëse Serbia nuk do ta pranonte marrëveshjen. Konferenca ishte organizuar nga Grupi i Kontaktit me qëllimin që t’i jepej fund luftës së përgjakshme në Kosovë.

Kosova përfaqësohej nga një ekip gjithëpërfshirës, pjesë e të cilit ishin përfaqësuesit e UÇK-së, ata të institucioneve të Kosovës që nuk njiheshin ndërkombëtarisht, të partive parlamentare dhe shoqërisë civile. Ndërkaq Serbia përfaqësohej nga vartës të Sllobodan Millosheviqit, i cili atëkohë kishte zbarkuar arsenalin paraushtarak e ushtarak në Kosovë, që kryenin masakra e dëbime masive të shqiptarëve.

E, procesi ndërmjetësohej nga përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, Christofer Hill, ai i federatës ruse, Boris Majosrsi, dhe nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Wollfgang Petriq.

Refuzimi dhe më pas pranimi i dokumentit

Dokumenti i propozuar si marrëveshje fillimisht nuk ishte pranuar as nga delegacioni i Kosovës, meqë ai nuk e shkëpuste Kosovën nga ish-Jugosllavia. U firmos më 18 mars 1999 pas garancive të ndërkombëtarëve se Kosovës do t’i njihej e drejta e referendumit për statusin përfundimtar.

Në emër të Kosovës marrëveshja u nënshkrua nga Hashim Thaçi, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja dhe Veton Surroi.

Pasi dokumenti nuk e parashihte pavarësinë, kritikët në Kosovë mes tyre edhe kryetari aktual i Qeverisë, njëherësh lider i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishin qenë kundër pranimit të asaj marrëveshjeje.

Ish-pjesëmarrësja e delegacionit të Kosovës në Paris, Edita Tahiri, ka thënë se Rambujeja është konferenca më e rëndësishme ndërkombëtare për paqen, e udhëhequr nga SHBA-ja dhe Grupi i Kontaktit, që i dha fund luftës dhe gjenocidit në Kosovë në vitin 1999.

“Përmes bombardimit të Serbisë nga SHBA-ja dhe NATO-ja u mundësua kapitullimi i Serbisë. Po ashtu konferenca e vendosi Kosovën nën protektoratin e NATO-s, si dhe la të hapur derën për pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Tahiri. “Marrëveshja e Rambujesë falë vendosmërisë së delegacionit të Republikës së Kosovës dhe të përkrahjes vendimtare të aleatit tonë strategjik SHBA-së përcaktoi parimin e vetëvendosjes për Kosovën, përmes pikës së pranimit të referendumit si mekanizëm për statusin përfundimtar të Kosovës pas një periudhe të ndërmjetme prej tre vjetësh. Si rezultat Pavarësia e Kosovës u shpall në vitin 2008 nga Kuvendi i Kosovës, si dhe u konfirmua ligjërisht nga Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi në 2010”.

Sipas saj, Konferenca e Rambujesë është e njohur si proces paqësor ndërkombëtar që zbatoi dy parime.

“‘Diplomacia e mbështetur nga forca’ dhe ‘së pari paqja pastaj statusi’, rreth të cilave SHBA-ja si udhëheqëse e Konferencës së Rambujesë arriti të krijonte unitet ndërkombëtar në kuadër të Grupit të Kontaktit që do të rezultojë më pas edhe me unitetin e aleatëve euroatlantikë të NATO-s. Kjo bëri që NATO-ja të marrë vendimin e bombardimit të Serbisë, pavarësisht që nuk u autorizua nga OKB-ja, por erdhi si reagim i drejtë duke qenë se Serbia kundërshtoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë. Rusia mbajti anën e Serbisë dhe nuk i dha përkrahje Marrëveshjes së Rambujesë, sepse ishte kundër protektoratit të NATO-s në Kosovë”, ka theksuar Tahiri.

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike, Demush Shasha, vlerëson se asnjë marrëveshje nuk mund të vendoset në piedestalin e njëjtë me atë të Rambujesë.

“Pra rrethanat unike të asaj kohe e bëjnë atë një proces unik, i cili ka shtruar rrugë për aktin historik të çlirimit të Kosovës nga Serbia. Në këtë drejtim Marrëveshja e Rambujesë duhet parë si gur themel mbi të cilin do të shpallet Pavarësia e Kosovës nëntë vjet më vonë”, ka thënë Shasha.

Ndëshkimi i Serbisë

Refuzimi i Milosheviqit në vitin 1999 që të firmosë Marrëveshjen e Rambujesë solli operacionin më të madh ushtarak në historinë e NATO-s.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, në fjalimin televiziv natën e 24 marsit kishte shpjeguar qëllimet e fushatës së NATO-s, duke dëshmuar seriozitetin e reagimit kundër agresionit serb në Kosovë. Qëllimi ishte të dëmtoheshin seriozisht kapacitetet ushtarake të ish-Jugosllavisë për të shkaktuar luftë në të ardhmen.

Përfundimisht Millosheviqi do të dorëzohej më 1 qershor 1999, ku Beogradi e njoftoi Qeverinë gjermane se do t’i pranonte parimet e G-8-shes, me ç’rast Parlamenti i Serbisë formalisht e miratoi planin paqësor.

Në bazë të këtyre parimeve kërkohej përfundimi i menjëhershëm dhe i verifikueshëm i represionit dhe i dhunës në Kosovë; tërheqja e forcave ushtarake, policore e paramilitare të ish-RFJ-së; dërgimi i një pranie ndërkombëtare efikase civile dhe të sigurisë; si dhe kthimi i të gjithë refugjatëve. Në këtë plan theksohej se “populli i Kosovës do ta gëzonte një autonomi substanciale në kuadër të Republikës Federale të Jugosllavisë”, mirëpo në marrëveshje nuk përmendej ndonjë afat dhe as ndonjë mekanizëm për zgjidhjen e statusit afatgjatë të Kosovës.

Kësisoj, NATO-ja i ndali sulmet ajrore më 10 qershor. Po atë ditë, pas konfirmimit se forcat e ish-RFJ-së kanë nisur tërheqjen sipas planit paqësor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e miratoi Rezolutën 1244, e cila e përcaktoi kornizën për vendosjen e administratës civile të OKB-së, si dhe për vendosjen e një pranie ndërkombëtare e të sigurisë. Për dallim nga plani i Rambujesë, trupat e NATO-s nuk do të kishin mundësi të hynin në territorin e ish-Jugosllavisë, por vetëm në Kosovë.

Kushtet e vendosjes së një pranie ushtarake ndërkombëtare si dhe qëllimet e saj u përcaktuan në Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake ndërmjet Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Kosovë (KFOR) dhe të qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe të Republikës së Serbisë, e cila u nënshkrua më 9 qershor 1999.

Duke iu referuar zhvillimeve pas Marrëveshjes së Rambujesë, sipas Tahirit, synimet e saj janë përmbushur plotësisht.

“Kjo me faktin e Kosova sot është një shtet i pavarur dhe sovran i konfirmuar ndërkombëtarisht dhe ligjërisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si dhe e njohur fuqishëm nga SHBA-ja, shumica e botës perëndimore dhe BE-së. Njëkohësisht, Kosova sot është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe në rrugën zyrtare për integrimin evropian dhe NATO”, ka thënë Tahiri.

Ato marrëveshje që janë vlerësuar historike për Kosovën, sikurse është Rambujeja, e Propozimi i Ahtisaarit për Pavarësinë e Mbikëqyrur, nuk janë nënshkruar nga Serbia.

Gjashtë vjet pas Rambujesë, Kosova hyri në një proces tjetër negociator me Serbinë, tani për zgjidhjen e statusit final. Nga negociatat e Vjenës, të cilat në emër të OKB-s u ndërmjetësuan nga presidenti finlandez Martti Ahtisaari dhe nga diplomati austriak Albert Rohan, ekipi negociator i Kosovës e pranoi Planin e Ahtisaarit në bazë të së cilit Kosova e shpalli Pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

Të njëjtën kohë, Kosova pranoi kompromise të shumta për komunitetin serb. Ndryshimet kushtetuese dhe ligjet me interes vital nuk mund të bëhen pa votën e serbëve. Kompromis tjetër ishte decentralizimi në baza etnike e statusi special i kishave dhe manastireve.

Kritikët e kësaj pakoje argumentonin se kjo është pavarësi e cunguar pasi po vihej baza për ndarjen e mëvonshme të shtetit të Kosovës.

Kompromiset e Kosovës

Fakti se Pakoja Ahtisaari u pranua njëanshëm nga Kosova dhe nuk u miratua në Këshillin e Sigurimit të OKB-s, për shkak të kundërshtimit të Rusisë, kjo i mundësoi Serbisë që ta sfidojë në vazhdimësi shtetin e Kosovës dhe t’ia kontestojë legjitimitetin ndërkombëtar.

Për pasojë, Pakoja e Ahtisaarit doli të mos jetë kompromisi i fundit për Kosovën.

Pas miratimit të një rezolute në OKB në shtatorin e vitit 2010, Kosovës iu kërkua të hyjë në negociata të reja me Serbinë, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian. Në emër të integrimit të serbëve dhe normalizimit të marrëdhënieve, negociatat u zhvilluan kryesisht për rregullimin e brendshëm të Kosovës.

Në vitin 2013, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje 15-pikëshe, dhe gjashtë të parat prej tyre flasin për krijimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe. As kjo marrëveshje nuk e solli paqen e synuar.

24 vjet pas Rambujesë e 10 pas marrëveshjes së parë, para Kosovës dhe Serbisë, është një propozim tjetër i BE-së që ka mbështetje edhe të ShBA-së. Përmes tij synohet arritja e paqes afatgjate, e cila vitet e fundit u kërcënua edhe me rrezikun e një konflikti të hapur mes Kosovës e Serbisë. Mes tjerash, në dokumentin për Kosovën e Serbinë thuhet se “palët do të zgjidhin secilin mospajtim mes tyre vetëm me mjete paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i forcës”.

Kryeministri Kurti shprehu gatishmëri ta nënshkruajë propozimin evropian në takimin e 27 shkurtit, por sërish ishte pala serbe që refuzoi.

Sipas Shashës, ekzistojnë katër ngjashmëri mes kohës së Rambujesë dhe negociatave të sotme mes Kosovës e Serbisë. Ai thotë se Perëndimi mund të përdorë sërish shkopin për të dëshmuar seriozitet në arritjen e marrëveshjes.

“E para, sikur në kohën e Rambujesë edhe sot çështjet e hapura mes Kosovës e Serbisë shihen si pikë kritike e arkitekturës së sigurisë evropiane. E dyta, përsëri sikur në kohën e Rambujesë kemi koordinim të afërt dhe të plotë në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, ka theksuar Shasha. “E treta, sikur në kohën e Rambujesë aleatët transatlantikë janë të gatshëm të përdorin instrumentin e sanksioneve për të treguar seriozitetin e tyre për arritjen e marrëveshjes. E katërta, përsëri, sikur në atë kohë, Rusia është palë inferiore në skenën ndërkombëtare”.

Ndërkaq Edita Tahiri, e cila në qeveritë e paspavarësisë ka qenë kryenegociatore e ministre për dialog, thotë se përpjekjet paqësore për vendosjen e marrëdhënieve paqësore dhe fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë në kohë paqeje nuk kanë dhënë ende rezultatet e plota.

“Ka pasur përparime nga dialogu i Brukselit ku janë vendosur bazat e fqinjësisë me kritere evropiane, mirëpo çështja kryesore është njohja reciproke mes të dyja shteteve që duhet të arrihet si garanci e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve që kanë një histori lufte, ku Serbia ishte agresori ndërsa Kosova ishte viktimë”, është shprehur Tahiri.

Sa u përket përpjekjeve aktuale rreth dialogut të Brukselit, sipas Tahirit, ato kanë kontekst tjetër sepse zhvillohen në kohë paqeje, për dallim nga Rambujeja e cila është zhvilluar në kohë lufte.

“Në Rambuje udhëheqës i ndërmjetësimit ka qenë SHBA-ja së bashku me Grupin e Kontaktit, ndërsa tani në dialogun e Brukselit është BE-ja ndërmjetësuese dhe SHBA-të mbështetëse të procesit megjithëse vazhdon ta ketë rolin qenësor në këtë proces. Sipas mendimit tim, sikur të ishte SHBA-ja udhëheqëse e ndërmjetësimit me siguri që dialogu i Brukselit do të përfundonte tashmë dhe jo të vazhdojë për gati mbi një dekadë. Do të kishim njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, marrëdhëniet mes dy shteteve do të ishin të normalizuara dhe do të ishte mbyllur kapitulli i armiqësive dhe do ta kishim kapitullin e fqinjësisë paqësore”, ka thënë Tahiri.

Sipas saj, arsyeja pse BE-ja si ndërmjetësuese nuk ka mundur të jetë më efektive në arritjen e marrëveshjes finale me njohje reciproke, “ka të bëjë me faktin se BE-ja nuk ka një unitet në politikën e jashtme, si dhe nuk ka mundur t’i bindë pesë vendet mosnjohëse që ta njohin Pavarësinë e Kosovës, e cila do të krijonte një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan”. Me këtë, sipas saj, do të mbyllej hapësira për ndikime destablizuese ruso-serbe në rajon.

Ato marrëveshje që janë vlerësuar historike për Kosovën, sikurse është Rambujeja apo propozimi i Ahtisaarit për Pavarësinë e Kosovës – nuk janë nënshkruar nga Serbia.

Njësoj si para 24 vjetësh, edhe tash Perëndimi ka paralajmëruar pasoja për palën e cila shfaqet destruktive në arritjen e paqes afatgjate.