23 vjet nga aktakuza kundër Millosheviqit, çfarë i tha Rugova gjatë përballjes në Hagë? (VIDEO)

Më 27 maj të vitit 1999, Gjykata Penale Ndërkombëtare ngreu padi ndaj presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, dhe katër bashkëpunëtorëve të tij, duke i akuzuar për krime kundër njerëzimit në Kosovë.

Millosheviqi dhe të tjerët akuzoheshin krime kundër njerëzimit në dëbimin e më shumë se 700 mijë shqiptarëve etnikë nga Kosova dhe vrasjen e 340 njerëzve, kryesisht të rinj.

Në aktakuzën e përbashkët, e para në histori kundër një shefi të shtetit në kohë të luftës, ishin edhe presidenti i Serbisë, Milan Milutinoviq, ministri i brendshëm serb, Vlajko Stojiljkoviq, zëvendëskryeministër i Jugosllavisë dhe një ndihmës i ngushtë i Millosheviqit, Nikola Shainoviq, si dhe gjenerali Dragoljub Ojdaniq, shef i shtabit të ushtrisë jugosllave.

Ish-presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, shkoi në Hagë dhe u përball me Sllobodan Millosheviqin e akuzuar si kriminel lufte.

Rugova ndër të tjera në Tribunalin e Hagës e mbrojti luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, teksa gjatë përballjes Millosheviqi i parashtronte disa pyetje provokuese ish-presidentit Rugova.

Madje, Rugova përgënjeshtron Millosheviqin që i thoshte se e ka lutur për disa gjëra.

Më poshtë gjeni pjesë nga përballja e tyre dhe videon e plotë:

Millosheviq: Ju thatë që UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste, pyetja ime është kështu; Në rast se UÇK-ja nuk ishte një organizatë terroriste, atëherë pse erdhët tek unë për të kërkuar që unë t’ju transferojë në një vend tjetër për ta shpëtuar familjen tuaj, pse erdhët?

Rugova: Unë thash që nuk është terroriste. As një shtet, as “State Departament” nuk e ka shpallur organizatë të tillë. Ajo ka qenë një organizatë që është krijuar nga populli, nga njerëzit kur ka filluar sulmi ushtarak mbi Kosovën nga patriotët dhe kanë luftuar për Kosovën.

Ndërsa kur thoni se unë kam ardhur t’ju lus, nuk ju kam lutur. Kam kërkuar të dal jashtë Kosovës, sepse atëherë Kosova ishte e zbrazur, nuk kishte njerëz as bashkëpunëtorët e mi. Dëshiroja të dilja të mos vritem ndonjë ditë në ndonjë incident apo në kurdisjet që mund t’i ketë bërë regjimi.

Millosheviq: Aktet që kemi parë edhe shtypin perëndimor në atë kohë tregon se gjenocid u bë kundër serbëve, ashtu është apo jo?

Rugova: Ju lutem, ju lutem… mos i përzini. Ju flisni për vitet 80, pastaj kaloni në fund të 90’ve. Prandaj nuk ka pasur gjenocid ndaj serbëve, është e kundërta, sidomos gjatë luftës ka pasur dhunë, të vrarë… Gjatë luftës ka pasur gjenocid ndaj shumicës shqiptare në Kosovë ku janë bërë shkatërrime të mëdha, ku janë vrarë rreth 10 mijë njerëz (ende nuk i kemi shënimet komplete), janë zhdukur rreth 4 mijë, janë shkatërruar mbi 120 mijë shtëpi private e mijëra objekte shoqërore e publike.

Millosheviq: Zotëri Rugova, ju erdhët tek unë dhe më kërkuat që t’ju shpëtojë juve nga një vrasje të mundur të shkaktuar nga UÇK-ja. Më shikoni në sy dhe më tregoni a është e vërtetë kjo?

Rugova: Nuk është e vërtetë, nuk është e vërtetë, nuk dëshirojë të përdorë fjalë të rënda por kjo është një gënjeshtër. Ka qenë kërkesë ndërkombëtare që unë të dal jashtë Kosovës.