Konsorciumi “Bechtel dhe Enka”, kontraktor i pjesëve të autostradës së korridoreve 8 dhe 10d (Tetovë-Gostivar), (Gostivar-Bukojçan) dhe (Prilep-Manastir), në shtator të këtij viti vazhdoi të kryejë punime kryesisht për punime hetimore gjeoteknike, projektim dhe specifikime të autostradave, projektim shpronësimi, punime të përkohshme për menaxhimin e trafikut, prishje dhe largim të ndërtesave ekzistuese dhe elementëve të tjerë të rrugës dhe aktivitete ndërtimore kryesisht për punime dheu, kullim dhe struktura.
Raporti mbi mbikëqyrjen e progresit të punimeve në shtator, të cilin Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore e publikoi sot në faqen e saj të internetit, tregon se për aktivitetet e planifikuara në terren janë angazhuar 2.277 persona dhe 1.244 makina ndërtimi.
Kanë vazhduar punimet për instalimin e shtyllave, themeleve, trarëve për ura, mbikalime dhe nënkalime në autostradat Tetovë – Gostivar (18 kilometra), Gostivar – Bukojçan (30 kilometra) dhe Prilep – Manastir (40 kilometra). Punimet janë duke u zhvilluar në gjashtë ura, shtatë mbikalime dhe tre nënkalime.
Deri në fund të shtatorit, ishin përfunduar gërmimet e 4.1 milion metrave kub të dheut dhe 1.0 milion metrave kub material mbushës.
Në shtator, nuk pati pagesa për kontraktorin, të cilit iu transferuan 1.200.875.741 denarë në gusht. Më parë, pati dy pagesa në prill prej 599.794.350 denarë dhe 524.972.228 denarë dhe një në maj prej 681.026.665 denarë, në qershor prej 830.336.364 denarë dhe në korrik 1.022.217.192 denarë. Deri në fund të vitit të kaluar, ishin paguar 261 milionë euro.
Kontrata me “Bechtel dhe Enka” vlen 1.3 miliardë euro dhe puna në terren ka filluar që nga 22 prilli i vitit 2023.




