22 viktimat e të dielës nuk i përkasin 24 orëshit, ja kur kanë vdekur…

22 viktimat e Kovid-19 të regjistruar në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë, rezultojnë të jenë përmbledhje e viktimave nga 24 dhe 25 tetori dhe të raportuara si viktima të 24 orëve të fundit. Një raport të cilin e ka siguruar televizioni Alsat dëshmon se 17 nga 22 viktimat kanë ndërruar jetë më 24 tetor, ndërsa 3 viktima tjera më 25 tetor. Për një viktimë 88 vjeçare nga Kriva Pallanka nuk potencohet data e vdekjes, ndërsa një viktimë tjetër nga Gostivari e moshës 75 vjeçare raportohet të ketë ndërruar jetë më 25 tetor në kushte shtëpiake.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe konfirmon se raporti i 24 orëve të fundit ndonjëherë i referohet edhe viktimave të 1 ose 2 ditë më parë për shkak të rezultatit të vonuar nga tamponi post-mortum.

Regjistrohen edhe viktima të 24 orëve të mëparshme. Mundet një ose dy viktima të përfshihen në raportin e fundit për shkak të rezultatit të vonuar ose problemeve teknike administrative – deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Raste të tilla sporadike janë regjistruar edhe më parë kur viktimat si pasojë e virusit Korona janë përfshirë në raporte një ose dy ditë me vonesë./Alsat