20 vjeçari i Ali Ahmetit dhe fronti i fundit kundër BDI!

Shkruan: Naser Pajaziti

Arben Xhaferi kurrë nuk lejoi përçarjen e votës shqiptare, edhe ate në momente vendimtare.

Filozofia e tij shquhej për unitet dhe jo përçarje, inate e kapriço. Por sot ata që po synojnë se janë vazhdimësi e politikave të tij, pak kanë trashëguar, sepse dekada e fundit po dëshmon për një parcializim çdo ditë e më të rrezikshëm të votës shqiptare. Xhaferi shquhej për shtrirje të dorës së bashkëveprimit ndërshqiptar dhe ai e bëri këtë në zgjedhjet e 1998, kur duhej fuqizim i faktorit shqiptar para luftës në Kosovë, por edhe në zgjedhje lokale. Ai atëkohë i shtriu dorën PPD-së, në pikën kulminante të tensioneve, padurueshmërisë dhe përçarjes së elektoratit shqiptar në dy tabore, që kishte prekur edhe familje e miq. Xhaferi në vulgun e konfliktit të 2001 ishte po ai që udhëtoi drejt Prizrenit, për të bashkërenduar veprimet me shefin politik të UÇK-së, Ali Ahmeti dhe Imer Imerin e PPD-së.

Por, çka sot, si po sillet paria politike që është bërë pikë e pesë?  

Në këtë delirium të vetkënaqësisë së politikanëve të gjithë këtij spekri opozitë e pozitë, Ahmeti po e hanë gati dekadën e dytë në pushtet, duke lexuar që në mëngjes çdo gjë që tenton ta bëj opozita e gjymtuar dhe që gjithmonë humbjen e sheh të alibitë e krijuara për vjedhjen e votës.

Por, jo!  Ajo që po godet dhe lëngon opozitën e partitë tjera anti-BDI është mosbashkëpunimi për të rrëzuar Ahmetin. Gjithë ajo përpjekje e njerëzve të vullnetit të mirë në zgjedhjet e fundit parlamentare për një bllok anti-BDI me ASH, AAA dhe BESA.

Oportunizmi dhe shpresat ishin të mëdha, por kur nuk do dikush, është e kotë, sikur dhëndëri e nusja që pas divorcit, nuk dijnë se çka do sjellin flirtet. Sela fajtor, Kasami fajtor, Gashi fajtor, por edhe Ahmeti e Thaçi! Lloj lloj konsipracionesh, kalkulimesh pas perdeve e që në fund të humbur.

Dakord, prap Ahmeti e inxhinieringu i BDI-së i vodhi votat. Por jo, çdo ndeshje ka fitues, qoftë penallti me dorë apo gol me pozicion jashtë loje. Këto janë rregullat e lojës ballkanase zgjedhore!

Por nga ana tjetër, ky pretendim bie poshtë, sepse votat e opozitës bashkë me spektrin tjerë të ndarë është më shumë se BDI.

Deri kur kështu?

Shtatori e tetori  ja po vjen, dhe si duket skenari i ngjajshëm i blloqeve dhe truqeve. Për votat e elektoratit shqiptar sytë kanë drejtuar të gjithë, por që delegjitimimi i saj është në fund të pusit. BDI, ASH-AAA, BESA, PDSH e LSDM do synojnë të ladrojnë nëpër vendbanimet shqiptare dhe ato të tjerë. Kush më shumë e kush më pak, por në fund inxhinieringu i pushtet do i fuzionojë me strategjinë që e aplikon përballë një spektri të përçarë shqiptar.

Çka duhet të bej Sela, Gashi e Kasami, pse nuk po ulen bashkë, çka i mundon e i ngarkon?

Padurueshmëria dhe ndasia ndërshqiptare, sidomos spektrit “anti-BDI” në vazhdimësi mbahet në tension dhe në konflikt të palogjikshëm. Sela, Gashi dhe Kasami janë tre politikanë të rinj, pa ndonjë bagazh të së kaluarës dhe që nuk trashëgojnë vëllavrasje apo konflikte të ashpra politike. Raportet e tyre të acaruara janë thuajse çështje koti, inatesh, kapriço e padurueshmëri. Andaj është momenti vendimtar që të shtrijnë dorën dhe të sfidojnë pushtetin 20 vjeçar të Ali Ahmetit.

Kjo sërish duket ideale dhe diçka që nuk bëhet, por, jo, argumentet janë kundër sjelljeve të tyre.  Edhe një, 10 apo 100 vota për ndryshim janë vendimtare, pa e nënvlerësuar dikë. Nëse synohet fitorja e BDI, kjo nuk duhet të ketë alibi, pazare apo kalkulime, por një strategji të përbashkët me kandidatë cilidoqoftë ai, edhe nga shoqëria civile, por edhe personalitete të shquara.

Është koha që ata të mendojnë me koka të ftohta,  sepse nuk është me rëndësi nëse fitohet Gostivari, Çairi apo Struga, sepse opozitari shqiptar apo simpatizanti i ndryshimit po vuan e do vuaj gjithandej. Shtatori është afër, e që përpos do sjell rënien e gjetheve, do sjell edhe rënien e kokave politike.