“Z. Rugova mbron pavarësinë e Kosovës, duke argumentuar se një Kosovë e pavarur do të ishte në interes të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan – përderisa do të ishte një zonë neutrale (buffer) midis Serbisë dhe Shqipërisë. Bashkëkryesuesit i thanë atij në terma të prerë se Parimet e Konferencës së Londrës ishin kundër ndryshimeve të kufijve të njohur ndërkombëtarisht dhe se, për komunitetin ndërkombëtar, pavarësia për Kosovën nuk ishte një opsion për momentin. Prandaj, bashkëkryesuesit i kërkuan atij të fillonte një dialog për autonominë”, shkruhet në një dokument në Arkivat e OKB-së
ARKIVAT E OKB-së
SERIA: 5-1535
KUTIA: 34
DOSJA: 8
ACC.: 2011/015
Takimi i bashkëkryesuesve me Ibrahim Rugovën
Përmbledhje
Të mërkurën, më 1 nëntor, bashkëkryesuesit zhvilluan një takim prej dy orësh e gjysmë në Gjenevë me Ibrahim Rugovën dhe bashkëpunëtorët e tij. Bashkëkryesuesit i paraqitën Rugovës disa ide për organizimin e një takimi ndërmjet tij dhe presidentit Millosheviq. Rugova tha se do të konsultohej dhe do t’u kthente përgjigje bashkëkryesuesve. Bashkëkryesuesit e ftuan Rugovën t’i bashkohet një dialogu që kërkon autonomi për Kosovën. Rugova argumenton për pavarësinë e Kosovës dhe, si masë kalimtare, administrimin e saj ndërkombëtar.
1. Bashkëkryesuesit u takuan për dy orë e gjysmë të mërkurën, më 1 nëntor (1991 v.j.) në Gjenevë, me Ibrahim Rugovën dhe këshilltarët e tij për të diskutuar situatën në Kosovë. Ky takim pasoi një takim të mëparshëm që Stoltenberg kishte pasur me të në Oslo dhe diskutimet që bashkëkryesuesit kanë pasur me Presidentin Millosheviq se si të trajtohet dosja e Kosovës.
2. Ka pasur një sasi të konsiderueshme të aktivitetit të ICFY (Konferenca Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë) për Kosovën në të kaluarën. Gjatë Qeverisë së Paniqit në RFJ (Republika Federale e Jugosllavisë), u mbajtën disa raunde diskutimesh për të diskutuar çështje konkrete si arsimi. Në kohën kur ajo Qeveri u zëvendësua nga Qeveria aktuale në RFJ, draftet për rihapjen e shkollave të mesme dhe universiteteve ishin paraqitur si nga Beogradi, ashtu edhe nga Prishtina. Megjithatë, që nga zëvendësimi i Qeverisë së Paniqit, Beogradi ka mbajtur qëndrimin se nuk do të takohej me shqiptarët e Kosovës jashtë RFJ-së pasi çështja ishte e brendshme. Disa takime u mbajtën më pas në Beograd, por ndryshimi i atmosferës e bëri të vështirë ecjen përpara në diskutime.
3. Bashkëkryesuesit e kanë mbajtur këtë situatë nën shqyrtim me synimin për të pikasur, ose krijuar, mundësi për rifillimin e dialogut. Qeveria e Republikës Federale të Jugosllavisë ruan qëndrimin e saj parimor se situata në Kosovë është një çështje e brendshme dhe se ata nuk do të bënin asgjë që do ta ndërkombëtarizonte atë. Presidenti Millosheviq u ka thënë bashkëkryesuesve se do të ishte i gatshëm të takonte Rugovën brenda Republikës Federale të Jugosllavisë. Ai i mirëpret ofiqet e mira (ndërmjetësimin) e bashkëkryesuesve për të ndihmuar në realizimin e një takimi të tillë, por konsideron se ata nuk duhet të jenë të pranishëm në vetë takimin.
4. Në takimin me Rugovën, ai fillimisht i informoi bashkëkryesuesit për situatën e përgjithshme. Ai tha se ajo ishte përkeqësuar rëndë dhe ishte e rrezikshme. Shkollat dhe universitetet mbetën të mbyllura dhe arsimi në nivelet e mesme dhe universitare mund të ofrohej vetëm në shtëpi private. Situata shëndetësore ishte e pasigurt, me mungesë ilaçesh. Represioni ishte në rritje, ku aktiviteti normal politik i shqiptarëve po përballej me ngacmime policore, arrestime, gjyqe dhe burgosje. Autoritetet serbe kishin filluar të rivendosnin refugjatë serbë në Kosovë dhe tri qendra rivendosjeje ishin ndërtuar tashmë.
5. Z. Rugova mbron pavarësinë e Kosovës, duke argumentuar se një Kosovë e pavarur do të ishte në interes të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan – përderisa do të ishte një zonë neutrale (buffer) midis Serbisë dhe Shqipërisë. Bashkëkryesuesit i thanë atij në terma të prerë se Parimet e Konferencës së Londrës ishin kundër ndryshimeve të kufijve të njohur ndërkombëtarisht dhe se, për komunitetin ndërkombëtar, pavarësia për Kosovën nuk ishte një opsion për momentin. Prandaj, bashkëkryesuesit i kërkuan atij të fillonte një dialog për autonominë, duke pasur parasysh diskutimet që po zhvillohen aktualisht për autonominë për serbët e Kroacisë dhe pozicionin e ardhshëm kushtetues të serbëve të Bosnjës brenda Bosnjë dhe Hercegovinës.
6. Z. Rugova e bëri mjaft të qartë se autonomia nuk ishte një opsion për të cilin ai dhe mbështetësit e tij po mendonin. Nëse Kosova nuk mund ta merrte pavarësinë e saj në kohën e tanishme, ai do të preferonte që ajo të ishte nën një formë administrimi civil ndërkombëtar. Ai e sheh këtë si një fazë kalimtare drejt pavarësisë që shpreson të marrë për Kosovën në një kohë në të ardhmen. Bashkëkryesuesit e këshilluan se ky nuk ishte një opsion i zbatueshëm. Së pari, Qeveria serbe nuk do ta merrte në konsideratë dhe së dyti, burimet nuk ekzistonin për të lejuar një mundësi të tillë. Prandaj, duhej kërkuar zgjidhje që e shihnin Kosovën si pjesë të Republikës Federale të Jugosllavisë.
7. Bashkëkryesuesit diskutuan me Rugovën disa ide për organizimin e një takimi ndërmjet tij dhe Presidentit Millosheviq. Ai dhe kolegët e tij premtuan të konsultohen për ato ide dhe t’u kthejnë përgjigje bashkëkryesuesve. Bashkëkryesuesit premtuan të qëndrojnë në kontakt dhe i thanë atij se ishin të gatshëm të shkonin për ta takuar në Kosovë si pjesë e procesit të nisjes së një dialogu ndërmjet tij dhe Presidentit Millosheviq.
Faksimile të dokumenteve nga Arkivat e OKB-së
KABLLOGRAM I KODUAR DALËS
PËR: AKASHI, UNPROFOR, ZAGREB
INFO: STOLTENBERG, GJENEVË
NGA: ANNAN, OKB, NEW YORK
DATA: 7 prill 1994
NUMËR: 1005
TEMA: Demarshi i SHBA-së për Kosovën
Pikat e diskutimit bashkëlidhur na u dorëzuan nga Misioni i SHBA-së këtë pasdite. Ne u përmbajtëm nga komentet dhe i drejtuam ata te DPA (Departamenti i Çështjeve Politike), por po e bashkëngjitim tekstin për informacionin tuaj. Kuptojmë se demarshi i SHBA-së po bëhet në Moskë dhe në të gjitha kryeqytetet e BE-së këtë javë.
MONITORUESIT NË KOSOVË
· Situata në Kosovë ka vazhduar të përkeqësohet që nga largimi i misionit monitorues afatgjatë të KSBE-së (CSCE) në korrik 1993, pavarësisht përpjekjeve të KSBE-së për të monitoruar situatën përmes ambasadave në Beograd.
· Përparimi i fundit drejt një zgjidhjeje në Bosnjë ka rënduar tensionet në Kosovë. Shqiptarët etnikë kanë frikë nga humbja e vëmendjes ndërkombëtare që ka ofruar situata në Bosnjë dhe mund të ndihen të detyruar të përshkallëzojnë rezistencën e tyre. Në mënyrë të ngjashme, Beogradi mund të ndihet i detyruar të ridrejtojë armiqësinë nacionaliste drejt jugut, drejt Kosovës, ndërsa shqyrton lëshime potencialisht jopopullore në procesin e paqes në Bosnjë. Secili skenar mund ta çojë një situatë tashmë të paqëndrueshme jashtë kontrollit.
· Ne propozojmë një demarsh të përbashkët BE/Rusi/SHBA duke i kërkuar Beogradit të rishqyrtojë refuzimin e tij për të pranuar monitorues ndërkombëtarë në Kosovë.
· Interesat e të dyve, shqiptarëve etnikë në Kosovë dhe Beogradit, do t’u shërbenin nga rinovimi i një pranie monitoruese ndërkombëtare në Kosovë.
· Për shqiptarët etnikë në Kosovë, një mision monitorues do të ushtronte presion mbi Beogradin për të zbutur masat e tij më represive dhe për të ofruar njëfarë mbrojtjeje për komunitetin shqiptar etnik nga abuzimet e paraushtarakëve serbë.
· Për Beogradin, një mision monitorues mund të ndihmojë në lehtësimin e tensioneve në Kosovë; të zbusë disa nga retorikat më të bujshme të shqiptarëve etnikë që burojnë nga rajoni; të përmirësojë marrëdhëniet e Serbisë me Shqipërinë dhe Maqedoninë – gjë që ajo ka shprehur dëshirën ta bëjë – dhe më e rëndësishmja, të ofrojë siguri thelbësore për komunitetin ndërkombëtar për gatishmërinë e Beogradit për të respektuar të drejtat e njeriut të komuniteteve të tij pakicë ndërsa ne kërkojmë të përparojmë më tej drejt një zgjidhjeje për Bosnjën, e cila mund të çojë përfundimisht në normalizimin e marrëdhënieve.
· Beogradi ka refuzuar kërkesat e mëparshme për të rifilluar misionin afatgjatë të KSBE-së për shkak të përjashtimit të tij nga KSBE-ja. Megjithatë, ne nuk kemi bërë kurrë më parë një demarsh të përbashkët në nivelet më të larta siç mendohet këtu për të theksuar rëndësinë e Kosovës për stabilitetin në rajon.
· Ne do të ishim të gatshëm të tregonim fleksibilitet mbi natyrën e misionit vëzhgues. Ndërsa do të preferonim një rikthim të KSBE-së, nëse një mision i KSBE-së mbetet i papranueshëm, ne do të propozonim dërgimin e monitoruesve nga Kombet e Bashkuara. (SHBA-ja nuk është e gatshme të pranojë Serbinë në KSBE ose të përmirësojë statusin e Serbisë në OKB si “çmimi” për ripranimin e monitoruesve të KSBE-së ose lejimin e monitoruesve të OKB-së.)
· Beogradi mund të sigurohet se asnjë nga kombet që marrin pjesë në demarsh nuk favorizon pavarësinë – siç ka propozuar LDK-ja – për Kosovën.



