Në 20 vjetorin e përfundimit të luftës së vitit 2001, ish-Komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, tash kryetar i BDI-së Ali Ahmeti, shkoi tek varrezat e dëshmorëve në Sllupçan, raporton TV 21.
Bashkë me ministra, deputetë e zyrtarë të tjerë nga radhët e integristëve bënë homazhe pranë të rënëve. Po përveç kësaj, u përballën edhe me një premtim të moçëm të pa përmbushur.
Lapidari pranë varrezave është nisur menjëherë pas luftës, po as sot 20 vite më pas, ka mbetur vetëm në armatura. Premtimi i sotëm është se në nëntor të këtij viti do të ndërtohet.
“Sigurisht që sot po fillojnë punimet. Për ndërtimin e këtij monumenti, ashtu siç e thash, në përkujtim të dëshmorëve, UÇK-së, të nënave, grave, motrave të kësaj zone. Më 28 nëntor ky monument do të përfundojë”, deklaroi Ahmeti.
Kryetari i Likovës, Erkan Arifi, e pranon se ndërtimi i lapidarit është vonuar. Deri më tani është kaluar nëpër procedura të ndryshme, ndërsa plani urbanistik i komunës ka filluar në 2015-tën, shprehet ai.
“Si kryetar i Komunës së Likovës jam qasur mbylljes dhe përfundimit të planit urbanistik, ndoshta është i vetmi monument që bëhet gurthemel që ka leje ndërtimi, ka plan urbanistik, ka një projekt kryesor, revizion projekti dhe d.m.th është në mënyrë legale dhe është regjistruar në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe kadastrën e RMV-së”, u shpreh Arifi.
Krahas homazheve, nuk u zhvilluar ndonjë aktivitet tjetër.
Kreu të integristëve si dhuratë mori portretin e tij dhe të dëshmorit më të ri në luftë, Abdulmexhit Shahini.



