Rreth 15 dronë të paidentifikuar u panë duke fluturuar mbi zonat ushtarake të NATO-s në Belgjikë, duke nxitur nisjen e menjëhershme të një hetimi nga Ministria belge e Mbrojtjes. Incidenti ndodhi rreth orës 2 të mëngjesit, pranë kampit stërvitor ushtarak të Elsenborn, në provincën Lièges, afër kufirit me Gjermaninë.
Ende nuk dihet origjina e dronëve apo kush i drejtonte, por sipas raporteve vendase, pasi u rrotulluan mbi bazën e Elsenborn, ata fluturuan drejt hapësirës ajrore gjermane. Forcat gjermane i pikasën më pas në qytetin e vogël Düren, jo larg kufirit.
Zyrtarët belgë thanë se dronët u zbuluan gjatë një ushtrimi teknik për testimin e sistemeve të zbulimit të objekteve fluturuese, çka tregon se forcat ishin të përgatitura për të vëzhguar lëvizje të tilla. Autoritetet belge dhe gjermane po bashkëpunojnë ngushtë për të përcaktuar origjinën dhe qëllimin e fluturimeve.
Megjithëse nuk është konfirmuar nëse dronët përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë, fakti që ata fluturuan mbi një zonë ushtarake shumë të ndjeshme ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë dhe mbrojtjen ajrore. Ngjarja ndodh në një periudhë kur mbrojtja nga dronët dhe siguria e hapësirës ajrore janë prioritete kyçe për NATO-n, veçanërisht në sfondin e rritjes së tensioneve gjeopolitike dhe kërcënimeve hibride.
© SYRI.net