14 vjet shtet/ Pa viza e rrezik nga asociacioni – progresi dhe ngecjet e Kosovës

17 Shkurti shënon plot 14 vjet Pavarësi. 14 vjet që kur Kosova u shpall zyrtarisht shtet i pavarur dhe sovran, edhe pse lirinë e kishte fituar me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe largimin e trupave serbe nga Kosova.

Ajo ditë shkurti e vitit 2008 ishte ditë gëzimi e lumturie për shqiptarët kudo në botë. Kosova tashmë ishte shtet. Po bëhej realitet ëndrra e kahmotshme për të pasur shtetin tonë.

Por, bashkë me entuziazmin vinte dhe përgjegjësia për shtetin, për të punuar e çuar përpara atë, për ta bërë të njohur ndërkombëtarisht, për tu pranuar nga shtetet e huaja, për ta paraqitur sa më mirë Kosovën në arenën ndërkombëtare në çdo fushë. Për të qenë krenarë me Kosovën e për ta dëshmuar para botës se e kemi merituar Pavarësinë.

Në sport, kulturë e art nëpër botë shpeshherë është ngritur flamuri i Kosovës, duke bërë krenarë gjithë popullin.

Në anën tjetër, politika ka lënë për të dëshiruar. Kosova vazhdon të jetë i vetmi shtet i izoluar dhe pa viza, pa anëtarësime ndërkombëtare në BE, NATO, Interpol. Një nga problemet vazhdon të mbetet prej 11 vitesh dialogu me Serbinë, që vazhdon me ngecje dhe pa një marrëveshje finale.

Por, si shihet Kosova 14 vjet pas shpalljet së Pavarësisë, cilat janë gjërat pozitive dhe cilat ngecjet?

Bunjaku-Rexhepi: Pavarësia u arrit falë arkitektit të saj, presidentit Ibrahim Rugova

Image

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi

Lidhur me këtë, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, thotë për gazetën “Bota sot” se për këto vite Kosova ka shumë arritje, ku Pavarësia u arrit falë arkitektit të saj, presidentit Ibrahim Rugova.

“Për 14 vjet ka shumë arritje. Vetë Pavarësia është arritja më e çmuar. Falë arkitektit të saj, Presidentit Historik Ibrahim Rugovës dhe shumë sakrificave të mijëra jetëve tona. Arritje të tjera: mbi 100 njohje, vendimi pozitiv i GJND-së, ndërkombëtarizimi i sportit dhe filmit kosovar, medaljet e arta olimpike etj”, është shprehur ajo.

Gjërat pozitive dhe ngecjet

Deputetja përmend disa nga gjërat pozitive për tërë këto vite.

“Si gjëra pozitive janë: forcimi i lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit, rritja e standardit jetësor si infrastrukturë e re publike, shtëpitë e bukura private, barazia më e madhe e grave kosovare në të drejta e prona, arritjet e mëdha në sport, filma e muzikë…”, vlerëson Bunjaku-Rexhepi.

Ndërsa, flet për ngecjet, ajo padyshim që përmend vizat, dialogun, lobimin e dobët, ikjet e qytetarëve nga Kosova, varfërinë e të tjera.

“Ngecjet: Kosova është izoluar shumë. Pa liberalizim të vizave. I vetmi shtet i izoluar në Evropë. Kemi qeverisje populiste, që flet me ironi dhe nuk kryen punë. Kemi zvarritje në dialog me Serbinë, lobim të dobët në SHBA e te vendet e tjera. Kemi politizim të çdo bordi, ikje masive të qytetarëve të Kosovës drejt BE-së dhe jo ikje të përkohshme, por të përhershme, pas pak muajsh, marrin edhe familjarët e tyre. Kemi izolim diplomatik. Pak vijnë në Kosovë e që çojnë peshë sot në diplomacinë ndërkombëtare. Kemi rritje çmimesh, thellim të varfërisë, shëndetësi të dërmuar dhe pa asnjë progres në arsim dhe ekonomi”, ka deklaruar deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi për “Bota sot”.

Kelmendi: Pozitivitet në luftën e krimit dhe korrupsionit

Image

Profesori Muhamet Kelmendi

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi, ka vlerësuar se është një kohë e rëndë nëpër të cilën po kalon Kosova, si në politikë ashtu edhe në ekonomi.

“Kosova ka një trend të njëjtë politiko – ekonomik të zhvillimit! Natyrisht se është një kohë shumë e rëndë që po e kalon Kosova. Problemet janë të mëdha dhe natyrisht se është edhe gjendja shumë e rëndë. Shikuar nga koha që po e lëmë, nga shpallja e Pavarësisë nuk është bërë ndonjë zhvillim i theksuar. Ajo që deklarohet nga kompetentet është vetëm rikthim në gjendjen parapandemike. Këtej kemi edhe përqindje zhvillimore të mirë. Punësimi do të vazhdojë të jetë problemi më i theksuar në Republikë. Nuk priten punësime të veçanta si rezultat i një politike ekonomike zhvillimore. Gjendja e punëtorëve ka mbetur e njëjtë. Nuk ka sigurime sociale, pensionale dhe shëndetësore”, thekson ai për “Bota sot”.

Kelmendi më tej përmend edhe gjendjen në sektorin privat, pagën minimale e gjendjen në arsim.

“Në sektorin privat mendohet se janë të punësuar 300 mijë veta. Gjendja është e njëjtë. Të ardhurat kanë mbetur në nivel eksploatues. Edhe nëse të ardhurat minimale rriten në 250 euro, përsëri është një rritje jo adekuate me gjendjen dhe kjo nuk e përmirëson situatën sociale në vend. Mbetet si më herët raporti me çmimet. Mbrojtja sociale dhe shëndetësore janë të njëjta. Arsimi ka vazhduar me të njëjtin ritëm, pa ndonjë ndryshim pozitiv në nxënie të mësimit. Madje kemi edhe ngecje në krahasim me vitin 2008”, vlerëson profesori.

Ndërsa, thotë se ka pozitivitet në luftimin e krimit dhe korrupsionit, por që përmend problemet në gjyqësor e prokurori.

“Në fushën e luftimit të krimit dhe të korrupsionit, sikundër edhe të kontrabandës, sigurisht se kemi pozitivitet. Mbetet shumë për të bërë. Gjyqësori ka vazhduar me problemet e njëjta. Kemi zgjatje të procedurave dhe veprime të dëmshme. Kështu e kemi edhe gjendjen në prokurori etj”, thekson Kelmendi.

Ai përmend edhe stagnimin në njohje, rrezikun nga asociacioni dhe jostabilitetin qeverisës.

“Në raportet ndërkombëtare kemi njohje të shtetit tonë. Në kohën e fundit kemi një stagnim. Ka edhe raste të pasivizimit të njohjeve. Dialogu nga çështjet teknike doli në politik. Tash flitet për asociacion dhe natyrisht se janë shtuar rreziqet. Pra, Republika ka anë pozitive dhe ngecje në vend. Si të veçantë duhet theksuar stabilitetin politik dhe qeverisës në vend. Pozitive është edhe lufta kundër pandemisë me koronavirusin. Nuk shoh gjë tjetër”, deklaroi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Mehmeti: 14-vjetori e gjen Kosovën me qeveri të pakorruptuar

Image

Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, thotë se 14-vjetori i Pavarësisë Kosovën e gjen në situatë të vështirë, me rritje të çmimeve në shumë sektorë.

“Ky përvjetor e pret Kosovën në një situatë të vështirë të saj, mes krizës së rritjes së çmimeve të larta, e të cilat ndikojnë direkt në jetën e përditshme të qytetarëve. Rritja nuk është për faj të qeverisë, si shkak i Covid 19, por edhe raporteve të acaruara Rusi-Ukrainë. Këto janë vështirësitë e saja aktuale”, potencoi ai.

Por, Mehmeti vlerëson se ky përvjetor e gjen Kosovën me qeveri të pakorruptuar dhe që e ka vëmendjen nga qytetarët, derisa shton se sistemi i drejtësisë ende vazhdon të jetë i kapur e nuk kemi as liberalizim të vizave.

“Mirëpo, 14-vjetori e gjen Kosovën me një Qeveri të pakorruptuar, e cila synon që të kthejë vëmendjen nga qytetarët, megjithatë kërkesat e qytetarëve janë në rritje edhe si pasojë e krizës së rritjes së produkteve elementare të jetës. Fatkeqësisht, akoma sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë i kapur nga politika, mungesa e liberalizmit të vizave, dhe një sërë të tjerave, të cilat janë anët negative të saja”, thotë Faton Mehmeti për “Bota sot”.