12 mijë thirrje për një natë! Stuhia vuri në provë Qendrën për Menaxhim me Kriza

Stuhia e djeshme shkaktoi rrëmujë gjithandej në qytetin e Shkupit. Kjo bëri që telefoni në Qendrën për Menaxhim me Kriza të mos ndalej, me çka ky institucion ka pranuar mbi 12 mijë thirrje për ndihmë. Edhe sot derisa TV21 po qëndroi aty, telefoni nuk po ndalej.

Drejtori Muhamed Ali, tha se çdo thirrje është pranuar dhe është përcjellë te institucionet kompetente. Sipas tij, të gjitha kërkesat për ndihmë kanë ardhur nga territori i Shkupit, ndërsa ekipet emergjente kanë qenë gjatë gjithë kohës në terren.

“Ekipet në terren ishin dhe u sanuan të gjitha dëmet që ishin në komunën e Çairit por edhe në komunat tjera. Edhe sot ekipet janë në terren po punojnë për sanimin dhe pastrimin e mbetjeve nga stuhia e mbrëmshme. Dëmet më të mëdha ishin disa çatia nëpër ndërtesa automjete të ndërtuara dhe disa rrugë të bllokuara nga fryma, por aty intervenuan edhe Parqe dhe Gjelbërime dhe të gjitha janë sanuar”, tha Muhamed Ali, drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza.

Muaji korrik është edhe sezoni kur aktivizohen zjarret, për të cilat Ali theksoi se situata mbetet nën kontroll. Sipas tij, sistemi i ri për detektimin e hershëm të zjarreve po mundëson reagim shumë më të shpejtë, duke identifikuar brenda pak sekondash vendndodhjen e zjarrit dhe mënyrën më efikase të ndërhyrjes, qoftë nga ajri apo nga toka.

“Kemi mbi 40 lokacione, besoj se vitin e ardhshëm do të na përkrahë Qeveria që të kemi në të gjithë shtetin tonë. Sistemi na njofton brenda 20 sekondave se ku është zjarri dhe në cilin lokacion. Përmes e-mailit SMS-it dhe përmes ekranit”, u shpreh tha Muhamed Ali, drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza.

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza apelojnë që qytetarët të vazhdojnë të raportojnë në numrin 112 çdo rast emergjent, duke theksuar se reagimi i shpejtë mbetet kyç si për pasojat e motit të lig, ashtu edhe për parandalimin e përhapjes së zjarreve.