100 palestinezë të vrarë në radhën e bukës, OKB kërkon hetim!

Kreu i OKB-së bëri thirrje për një hetim të pavarur për vdekjen e më shumë se 100 palestinezëve gjatë shpërndarjes së ndihmave në Gaza të enjten.

Të paktën 117 njerëz u vranë dhe më shumë se 760 u plagosën teksa u mblodhën rreth kamionëve, mes ankthit për ushqim që ka pllakosur territorin. António Guterres dënoi incidentin dhe tha se “civilët e dëshpëruar” kanë nevojë për ndihmë urgjente, përfshirë ata në veriun e Gazës, ku OKB nuk ka mundur të dërgojë ndihma prej më shumë se një jave”.

Hamasi akuzoi Izraelin se qëlloi kundër civilëve, ndërsa shteti hebre pretendon se shumica e viktimave humbën jetën gjatë ikjes së rrëmujshme që ndodhi pasi trupat e tij bënë sic thotë, disa të shtëna paralajmëruese në ajër sepse ndiheshin të rrezikuara. Zyrtarët ushtarakë izraelitë thanë se një autokolonë prej 30 kamionësh, që po lëvizte në drejtim të pjesës veriore të Gazës, u përball me turma të mëdha njerëzish që donin të rrëmbenin ndihmat që po transportonin. Kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit u shtuan, me presidentin francez Emmanuel Macron që deklaroi se civilët ishin “shënjestruar nga ushtarët izraelitë” dhe shefin e politikës së jashtme të jashtme të BE-së, Josep Borell, i cili e përshkroi incidentin si një “masakër krejtësisht të papranueshme”.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së caktoi një takim urgjent me dyer të mbyllura për të diskutuar incidentin, gjatë të cilit Algjeria – përfaqësuesi arab i këtij organizmi – paraqiti një projekt-deklaratë ku fajësoheshin forcat izraelite për “hapjen e zjarrit”. Ndërsa 14 nga 15 anëtarët e Këshillit e mbështetën mocionin, SHBA e bllokoi atë, sipas agjencisë së lajmeve AP, e cila citon ambasadorin palestinez të OKB-së Riyad Mansour i cili foli më pas me gazetarët. I dërguari i SHBA Robert Wood tha se faktet e incidentit mbeten të paqarta.

Top Channel