10 muaj burg për zyrtaren e Ministrisë së Bujqësisë për korrupsion me fondet IPARD

E punësuara në Ministrinë e Bujqësisë, Jasmina Kostadinova, është dënuar me 10 muaj burg pasi pranoi veprën penale për marrje ryshfeti.

Rasti lidhet me ndërmjetësim të paligjshëm gjatë ndarjes së mjeteve financiare nga programi evropian IPARD.

Sipas vendimit të gjykatës, në dënimin e saj do të përfshihet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, i cili kishte nisur më 5 nëntor 2025. Përveç dënimit me burg, është vendosur edhe konfiskimi i 8.000 eurove, të sekuestruara nga organet hetimore gjatë kontrolleve.

Ky rast korrupsioni nuk përfundon vetëm me Kostadinovën, pasi hetimi përfshin edhe profile të tjera të larta dhe ish-zyrtarë, përfshirë ish-drejtorin e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe një ish-ministër në Qeveri. Rasti hedh dritë mbi keqpërdorimet e fondeve evropiane për bujqësinë në Maqedoninë e Veriut dhe përpjekjet e drejtësisë për ndëshkimin e këtyre rasteve.(INA)