Gjithsej 1.113 rastesh me grip ose sëmundje të ngjashme me gripin u regjistruan javën e fundit, përkatësisht në periudhën nga 16 deri më 22 shkurt. Numri i rasteve të reja me grip, siç njoftoi Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), është 3.2 përqind më i ulët krahasuar me javën e kaluar, transmeton Portalb.mk.
Numri më i madh i të infektuarve të rinj, përkatësisht 621 persona, janë të moshës 15 deri në 64 vjeç, 185 prej të infektuarve janë fëmijë të moshës 5 deri në 14 vjeç, 164 të infektuar janë fëmijë të moshës 0 deri në 4 vjeç, dhe 143 janë persona mbi 65 vjeç. Incidenca më e lartë (169.9/100,000) është regjistruar tek fëmijët e moshës 0 deri në 4 vjeç.
“Të sëmurë janë raportuar nga Shkupi – 669, Strumica – 81, Prilepi – 61, Tetova – 50, Gjevgjelia dhe Ohri – 37, dhe në Manastir, Kumanovë, Dibër, Strugë, Kërçovë, Shtip, Kavadar, Negotinë, Probishtip, Gostivar, Radovish, Shën Nikolë, Veles, Kratovë, Makedonski Brod, numri i të infektuarve është më pak se 30. Në Krushevë, Vallandovë, Kriva Pallankë, Demir Hisar, Berovë, Koçan, Resnjë, Vinicë, Dellçevë dhe Pehçevë, nuk ka raste të raportuara të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin”, informon Instituti i Shëndetit Publik.
Në sezonin 2025/2026, numri i përgjithshëm i rasteve të gripit ose sëmundjeve të ngjashme me gripin është 14.984, dhe deri më tani janë regjistruar gjithsej katër vdekje të lidhura me gripin.
Deri javën e kaluar, në vend janë vaksinuar gjithsej 79.118 persona.





