​Tahiri: S’merremi me Vuçiqin, është naiv kushdo që mendon se ai pranon të thotë se do ta njeh Kosovën

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës Besnik Tahiri ka deklaruar sot se Kosova nuk merret me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se Serbia nuk do ta njeh Kosovën sa është ai në krye të shtetit serb. Përkundrazi, Tahiri thotë se Kosova duhet të vazhdojë drejtimin e saj me qëllim që dialogu të finalizohet me njohjen reciproke.

Këto deklarata Tahiri i bëri në një konferencë për media, menjëherë pas mbledhjes së Qeverisë, me ç’rast tha se është naiv kushdo që mendon se ai pranon të thotë se do ta njeh Kosovën.

“Deklarata e z.Vuçiq është thjesht vazhdimësi e provokimeve të tij, që i bën në raport me Kosovën. Secili njeri që mendon se ai do të thotë që ai do ta pranojë Kosovën, për mendimin tim ka njëfarë doze të naivitetit politik. Ajo që ne e bëjmë është që ne nuk merremi me të, ne merremi veç me qëndrimin politik të Kosovës. Ne i kemi parimet tona që na udhëheqin në raport me Serbinë, i kemi synimet tona strategjike në anëtarësimin në BE dhe NATO, si dhe synimin tonë të kamotshme ruajtjen e raporteve ët mira fqinjësore me gjithë shtetet, edhe me BE-në e në veçanti me SHBA-në”, tha ai.

Ai tha se Vuçiq nuk është për dialog, pasi ai këtë çështje e ka vetëm sa për t’u dukur i moderuar dhe si njeri i paqes.

“Kjo nuk duhet të na shqetësojë hiç neve. Ne i kemi punët tona, drejtimet tona. Ai flet ne me u provoku dhe ne me e pas një reagim të fortë dhe me thënë: ‘këta janë kundër dialogut’[…]Ai i ka qëllimet e veta për konsum të brendshëm dhe për konsum të jashtëm, ne e kemi drejtimin tonë. Për ne, përfundimi i dialogut, respektivisht dialogu është rrugë njëkahëshe, nuk ka alternativë dialogu. Por, në asnjë moment ne nuk shkojmë me dialogu procese të gjata por ne shkojmë me dialogu një dialog, i cili si rezultat e ka njohjen reciproke dhe drejtimin drejt Bashkimit Evropian edhe të Kosovës, edhe të Serbisë. Drejtimi i Kosovës është në rrugën e vet përkundër problemeve që i kemi, ndërsa drejtimi i Serbisë lidhet ngushtë me marrëdhëniet reciproke”, tha ai.