​PSD-ja ia shkruan “UÇK” mbi veturën e ministres Gërvalla

Në veturën e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë (MPJD), Donika Gërvalla, është shkruar “UÇK”. Mbishkrimi “UÇK” në veturën e ministres Gërvalla u bë nga aktivistët e Partisë Socialdemokrate (PSD).
Për aksionin ka shkruar në “facebook”, Dardan Molliqaj duke thënë edhe se Kosova nuk mund të ketë suksese në diplomaci nëse është shpërfytyruar nga brenda dhe se Kosova nuk shkon pa UÇK-në.

“Veturës së ministres së jashtme sot ia shkruajtëm mbishkrimin UÇK. Kosova nuk mund të ketë suksese në diplomaci nëse është e shpërfytyruar nga brenda. Kosova nuk ka ku shkon pa UÇK-në.

Kurti pati thënë se nuk e pranon Gjykatën dhe nuk i dorëzon njerëzit. Pastaj tha se shteti duhet ta organizojë mbrojtjen. Tash ka nisur luftën speciale të propagandës. Në emër të transparencës Qeveria e ka dëmtuar mbrojtjen duke deklasifikuar pagesat për avokatët. Sikur në luftë, edhe sot e njëjta këngë. Po na tregojnë sa kushton UÇK-ja. Janë shumë veshë që duan ta bëjnë kalkulimin dhe koston argument. Ky regjistër është i njëjti që para luftës na i tregonte pasojat dhe rreziqet e luftës. Këtij veshi po i fryen Kurti sot. Kalkulimi është argument i frikës, i reaksionit. UÇK-ja është e guximit, e historisë”, ka shkruar Molliqaj.

Ndërsa gjatë së mërkurës në mbrotjtje të Gërvalles doli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Dje, duket që filloi një fushatë kundër zëvendëses sime dhe ministres së MPJD, znj. Donika Gërvalla, me tezën se ajo nuk e respekton UÇK-në. Është interesante qysh kjo fushatë nuk nisi kur znj. Gërvalla erdhi në listën tonë zgjedhore e as kur u emërua ministre, por tash që u kthye nga vizita e suksesshme në Bruksel. Znj. Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në. Në takimet me ndërkombëtarë, ajo e shpjegon agresionin dhe krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë si pakkush tjetër”, ka shkruar kryeministri Kurti në “Facebook”.