​“Mini-shengeni” në Tiranë, mes protestash dhe kundërshtisë së Kosovës

Presidenti serb Aleksandër Vuçic dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot dhe nesër do të qëndrojnë në Tiranë në atë që njihet si takimi i “mini-shengenit ballkanik”.

Pas takimeve të zhvilluara në Novisad dhe Ohër, Rama Vuçiç dhe Zaev do të takohen në Tiranë. Edhe kësaj radhe Kosova e ka bojkotuar këtë nismë.

Mohimi i masakrës së Reçakut nga shteti i Serbisë ka bërë që në mesin e shumë arsyeve të tjera, partitë politike në Kosovë të kërkojnë nga Shqipëria një qasje tjetër ndaj Serbisë.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pasi i tha “jo” ftesës së Ramës deklaroi se derisa Serbia vazhdon të mohojë krimet e kryera ndaj qytetarëve të Kosovës dhe nuk e njeh Kosovën si shtet, iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta.

Katër partitë parlamentare, përfshirë dy partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, Vetëvendosje dhe LDK thonë se nuk mund të flitet për asnjë bashkëpunim rajonal me një shtet që i mohon krimet e veta.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu u shpreh për KosovaPress, kundër takimeve të tilla, veçmas tash kur haptas mohohet gjenocidi i kryer në Kosovë nga Serbia.

Kundër këtij bashkëpunimi rajonal u shpreh edhe deputeti i zgjedhur i LDK-së, Anton Quni, i cili thotë se fillimisht Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e vet.

E ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, deputeti i zgjedhur, Memli Krasniqi, tha për KosovaPress, se qasja e shtetit shqiptar duhet ndryshojë karshi Serbisë, pasi në këtë formë duke mohuar krimet, nuk mund të shkohet përpara.

Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini kërkoi reagim nga të gjitha vendet mike të Kosovës për mohimin e masakrës së Reçakut, teksa thotë se deklaratat e tilla duhet të ndërpresin çfarëdo bashkëpunimi mes shteteve.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri dje mbajti një protestë kundër takimit të Vuçiçit ndërsa për sot në ora 17:00 në lulishten “Qemal Stafa” përballë hotel “Rogner” në Tiranë paralajmëroi një tjetër aksion simbolik paqësor për të shprehur kundërshtimin ndaj vizitës së Aleksandër Vuçiç dhe “mini-shengenit ballkanik”.