​Kuvendi i kërkon Qeverisë dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në NATO

Kuvendi i Kosovës i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të marrë veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian, Këshill të Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Në paraqitjen e rezolutës ku dënohet agresioni rus në Ukrainë, legjislativi ka kërkuar edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së.

Duke lexuar rezolutën, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i bëri thirrje edhe parlamenteve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinës të marrin të njëjtin veprim. Derisa në rezolutë kundërshtohet qasja dhe sjellja e Serbisë krah agresionit rus.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës e dënon në mënyrë të ashpër agresionin dhe invazionin e paligjshëm të paprovokuar dhe pa justifikuar ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe përfshirjen e Bjellorusisë në këtë agresion. Kuvendi i Republikës së Kosovës renditet krahas aleatëve perëndimor në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj dhe kundërshton fuqishëm qasjen dhe sjelljen e pak vendeve të rreshtuara krah agresionit dhe terrorit rus ndaj Ukrainës, nisur nga fqinji ynë verior Serbia. Kuvendi i Republikës së Kosovës e mbështet popullin dhe institucionet e Ukrainës si dhe e dënon vrasjen e civilëve dhe fëmijëve. Gjithashtu, përshëndesim fillimin e hetimeve nga Gjykata ndërkombëtare penale për krime lufte dhe mbështesim dërgimin e rastit nga Ukraina në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kuvendi i Republikës së Kosovës e mbështet vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe politike nga Qeveria e Kosovës ndaj Federatës së Rusisë në linjë me sanksionet e vendosura nga BE-ja, ShBA dhe gjitha vendet demokratike. Kuvendi i kërkon Qeverisë që krahas gatishmërisë për strehimin e 20 gazetarëve ukrainase t’i koordinoj edhe të gjitha veprimet e mëtejshme me partnerët si dhe të shpreh gatishmërinë e strehimit eventual deri 5000 refugjatëve nga Ukraina. Kuvendi i Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës që të ndajë një fond të veçantë për ndihmë ndaj popullit të Ukrainës sipas koordinimit ndërmjet dy qeverive respektive. Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që koordinim me partnerët ndërkombëtar të marrë veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim të Kosovës në NATO, BE, Këshill të Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Kuvendi i Kosovës i bënë thirrje NATO-së, BE, Këshillit të Evropës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare ta shqyrtojë kërkesën dhe ta konsiderojnë rëndësinë e anëtarësimit në to të Republikës sonë. Kuvendi i Kosovës i bënë thirrje vendeve të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që në harmoni me vendimin e GJND-së ta ndërmarrin sa më parë këtë akt politik që është njohja e pavarësisë së Kosovës. Kuvendi i kërkon Qeverisë që konsultim me misionin e NATO-së në Kosovë të rishikojë dhe shkurtojë afatet e parapara të planit dhjetëvjeçar për avancimin e FSK-së në ushtri të rregullt, përfshirë këtu mbështetjen financiare për këtë qëllim. Kuvendi i Kosovës e udhëzon kryetarin që koordinim me qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtar që t’i drejtohen institucioneve më të larta shtetërore të Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros me kërkesë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Kuvendi i Kosovës duke marrë parasysh aspiratat e përbashkëta për anëtarësim në BE dhe konsolidimin e sigurisë në rajon e fton parlamentin e Republikës së Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës të bashkohen në këtë nismë dhe shprehin asaj mbështetje”, tha ai.

Krahas prezantimit të rezolutës, Konjufca tha se ndërhyrja e NATO-së në Kosovë nuk ka asnjë ngjashmëri me Ukrainën e sotme. Ai sjelli në vëmendje se Serbia asnjëherë nuk është distancuar nga krimet dhe gjenocidi në Kosovë dhe hezitimin e saj të nxjerr para drejtësisë kriminelët e saj të luftës.

Sipas tij, në vend që Serbia të jetë e dënuara, sot Kosova dhe lufta e saj po gjykohen padrejtësisht.

“Duke njohur vuajtjet e sakrificat e luftës i japim mbështetje të plotë të popullit të Ukrainës, institucioneve demokratike të cilat po e mbrojnë atdheun e tyre, paqen dhe lirinë si vlera universale, duke luftuar dhe mbrojtur nga sulmi pushtues i Federatës ruse i nisur me 24 shkurt 2022 dhe i paraprirë me aneksimin e dhunshëm dhe arbitrar të Krimes dhe rajoneve të Dombas qysh nga viti 2014. Duke ritheksuar shqetësimin e lartë për ndikimin dhe ndërhyrjen e federatës ruse në vendet e Ballkanit Perëndimor përmes Serbisë, Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë si dhe manifestimeve të saj obstruktive si përpjekje të dështuar për grusht-shtet në Malin e Zi, përpjekjet e ngjashme që ndodhën në Maqedoninë e Veriut dhe deri tek përfshirja e ambasadorit të Rusisë si kërcenim i bashkërenduar me presidentin e Serbisë në inspektimin ushtarak të forcave serbe në kufi me Kosovën gjatë shtatorit në vitin 2021, duke theksuar se çështja e Kosovës në ish Jugosllavi dhe ndërhyrja humanitare e NATO-së në Kosovë nuk ka asnjë ngjashmëri me Ukrainën e sotëm, ndërhyrja humanitare e NATO-së kishte për qëllim ndalimin e spastrimit etnik të Kosovës dhe shpëtimin nga gjenocidi i agresionit të Serbisë… Kuvendi i Kosovës e sjell në vëmendje se Serbia asnjëherë nuk është distancuar nga krimet dhe gjenocidi në Kosovë, si dhe ende heziton të nxjerr para drejtësisë kriminelët e saj të luftës. Në vend që Serbia të jetë e dënuara, sot Kosova dhe lufta e saj po gjykohen padrejtësisht”, shtoi ai.

Deputetët e legjislativit me 94 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, votoi këtë rezolutë, ndërsa deputetët e Listës serbe nuk morën pjesë në votim.