​Blumberg tërhiqet nga gara presidenciale në SHBA

Ish-kryetari i Nju Jorkut dhe miliarderi, Michael Bloomberg, i dha fund garës për president të Shteteve të Bashkuara, pas rezultateve të dobëta që mori në të ashtuquajturën Super të Martë.

“Tre muaj më parë, unë i jam bashkuar garës për president për të mposhtur Donald Trumpin. Sot, po e lë këtë garë për të njëjtën aryse”, tha Bloomberg.

Ai ka shpenzuar më shumë se gjysmë miliardi dollarë në garën për t’u bërë kandidat i Partisë Demokratike.

Ai tha se tani do ta mbështesë Joe Bidenin në këtë garë.

“Unë gjithmonë kam besuar se mposhtja e Donald Trumpit nis me bashkimin pas kandidatit që i ka shanset më të mira. Pas votimeve të djeshme, është e qartë se ai kandidat është miku im dhe një amerikan i madh, Joe Biden”, tha Bloomberg.

Të martën, në 14 shtete të SHBA-së janë mbajtur zgjedhjet paraprake për kandidatin e Partisë Demokratike.

Bloomberg ka arritur të fitojë vetëm në Samoan amerikane, ndërsa Biden ka fituar në nëntë shtete.

Partia Demokratike do ta zgjedhë në verë kandidatin e saj që do të sfidojë presidentin aktual, Donald Trump, në zgjedhjet e nëntorit.

Aktualisht, më të pëlqyerit janë Joe Biden dhe Bernie Sanders.