​Babai i Astrit Deharit: Këto katër vite flasin për neglizhencën dhe papërgjegjësinë e institucioneve

Sot janë bërë 4 vite prej kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari u gjet i vdekur në rrethana ende të pasqaruar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. E familjarë, aktivistë të shumtë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë homazhe tek varri i Deharit.

Babai i Astrit Deharit, Avniu tha se ky katër vjetor flet për neglizhencën dhe papërgjegjësinë e institucioneve të Kosovës karshi rastit të djalit të tyre.

Ai deklaroi se drejtësia kosovare jo që nuk e ka tha fjalën e saj, por tentoi ta manipuloj rastin, dhe ta fsheh të vërtetën e vdekjes së Astrit Deharit.

“Sot mbushen 4 vite nga rënia e Astrit në burgun e Prizrenit drejtësia deri më sot jo që nuk e ka dhënë fjalën e vetë , por përkundrazi kanë bërë manipulime të shumta që ta cilësojnë si akt vetëvrasjeje ta fshehin të vërtetën. Ne jemi detyruar mu për këtë arsye që të kërkojmë ekspert nga Zvicra e mira do kishte qenë që tu drejtoheshim organeve tona të drejtësisë në Kosovës, por kur ato nuk e bëjnë punën si duhet e bëjnë e bëjnë të kundërtën…Ende nuk është mbyllur rasti I Astritit vetë katër vjet flasin për neglizhencën dhe papërgjegjësinë që kanë institucionet tona. Unë shfrytëzoj rastin që t’i përshëndes të gjitha këta që janë të pranishëm ato e po na gjenden pranë përkundër që janë ditë me pandemi”, tha Dehari.

Homazhe tek varri I aktivistit të ndjeri, Astrit Dehari kanë bërë edhe deputetë e aktivist të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kishin veshur edhe bluzat me mbishkrimin “Drejtësi për Astritin”. E para se të nisej për në Hagë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi bëri homazhe tek varri i Deharit.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari para katër viteve më parë u gjet i pajetë në qelinë e paraburgimit në Prizren. Nga autopsia vendore u tha se Dehari u vetëvra, por për shkak të dyshimeve, familja kërkoi një ekspertizë nga Qendra Universitare i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës. Nga hetimet e kryera nga ky Instituti u tha se aktivisti nuk ka bërë vetëvrasje teksa ndodhej në qendrën e paraburgimit në Prizren.