Ҫfarë kishte thënë Presidenti Rugova për Hashim Thaҫin, ja pse ishte i rrezikshëm për Kosovën

Publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Hashim Thaҫi i shantazhuar nga Serbia me dosje kriminale, për krimet në Kosovë, ka nisur lobimin për ndarjen e shtetit të Kosovës.
“Duke mos ndëshkuar argatët e Serbisë, të cilët e realizuan projektin e saj, për protestat vandale; duke mos dënuar konspiracionët e zyrtarëve, që nënshkruan Demarkacionin dhe Asociacionin. I trimëruar nga veprimet paraprake dhe mosndëshkimi i autorëve, Hashim Thaçi, i shantazhuar nga Serbia, me dosjen e zezë kriminale, të luftës dhe të pas luftës, për krimet në Kosovë, kryesisht, kundër kundërshtarëve politikë, nis lobimin për shkëmbim territorësh, përkatësisht, të ndarjes të Kosovës”, thekson Zeqiraj.

Sipas tij, për të qenë i shpenguar, në veprimtarinë kriminale të tij, ai shfrytëzoi pazaret e pista, të kohës së luftës, me Qeverinë në Ekzil, duke zhvatur prej saj milionat, që kurrë nuk u përdorën për luftën.

Zeqiraj thotë se ishte Presidenti Rugova ai që e pengoi Thaҫin të ngritet në karrierë, pasi kishte informacione se ai po flirtonte me shërbimin informative francez.

“Në gjallje të Presidentit Rugova, Hashim Thaçi u pengua të ngritet në karrierë. Sepse Dr. Rugova kishte informacion se ai flirtonte me Shërbimin Informativ francez, të cilin e ndërlidhte edhe me Serbinë. Dr. Rugova ka paralajmëruar, se “Hashimi nuk duhet lejuar të ngritet në pushtet, sepse është i rrezikshëm për Kosovën!” Kjo porosi në gjallje, mbeti si amanet, pas shkuarjes së Tij në amëshim. Por, bastardët e LDK-së, e shkelën amanetin e kryetarit Rugova”, thotë ai.

Tutje Zeqiraj thotë se Thaçi, me SHIK-un e tij, katapultoi në krye të LDK-së, njerëzit e tij.

“Koalicionet me LDK-në ishin formale. Realisht, ai e sundonte LDK-në, njësoj si partinë e tij, PDK-në. Edhe përzgjedhja e ministrave, nga radhët e LDK-së, bëhej me aprovimin paraprak të Hashimit”, thekson Zeqiraj.

Publicisti thotë se institucionet vitale, siç është Gjykata Kushtetuese dhe të gjithë aparatin e drejtësisë, i kishte “pronë” të tij. Kujtoni eksterritorin e Manastirit të Deçanit, i nëshkruar nga Thaçi dhe i aprovuar nga Gjykata Kushtetuese dhe, pastaj, Parlamenti.

“Nënshkrimet konspirative, për Demarkacionin, Asociacionin, janë veprime fatale të Hashimit dhe të ministrit e kryeministrit të LDK-së, të dirigjuar nga ai, pa përfillur fare strukturat e partisë apo institucionet shtetërore”, vlerëson Zeqiraj për “Bota sot”.