Vjosa mos ta lërë fatin e votuesve të LDK-së në dorë të Isa Mustafës!

Shkruan: Fejzi Hajdari

Ku ka humbur Vjosa Osmani? Pse nuk paraqitet në opinion? A thua na tradhtoi kandidatja për kryeministre? Janë këto pyetje që i parashtron gati çdo anëtar, simpatizues dhe votues i LDK-së, por që për fat të keq ende nuk kanë përgjigje. Votuesit e LDK-së, më shumë se çdokush tjetër, ndihen në siklet në këto momente, kur kryeneçësia e partisë së tyre vazhdon jetëgjatësinë e qeverisë aktuale të Kosovës, kundër së cilës ata votuan. Revolta e vrullshme në drejtim të Isa Mustafës, dal ngadalë po merr adresë kah Vjosa Osmani, e cila edhe pse kërkoi votën si kandidate për kryeministre, fatin e votuesve të LDK-së tani e ka lënë në dorë të kryetarit të partisë së saj, i cili gjatë fushatës parazgjedhore fshehej nga votuesit.
Votuesit i dhanë 200 mijë vota Vjosa Osmanit, sepse te ajo panë një shpresë për rikthimin e LDK-së në binarët ku lëvizte në kohën e presidentit legjendar, Ibrahim Rugova. Votuesit nuk i dhanë votën as Isa Mustafës, e as Lutfi Hazirit, për një LDK përplot konflikte, rrahje e LDK që punon nën diktat të Hashimit.
Sa për Isa Mustafën e Lutfi Hazirin, LDK-ja nuk besoj se do të kishte fituar më shumë se 15 deputetë. LDK-në e votuan edhe shumë votues të papërcaktuar, që te dyshja Albin Kurti-Vjosa Osmani shihnin lidershipin që do të udhëheqë Kosovën në dekadën e tretë (e ndoshta edhe më gjatë),të këtij shekulli.

Nëse Vjosa vazhdon të heshtë dhe nuk shfrytëzon autoritetin e fituar në zgjedhje për të bë trysni për formim sa më të shpejtë të qeverisë, ajo nuk e dëmton askënd më shumë se vetveten. Janë çështje të brendshme partie, mirëpo dorën në zemër, edhe zogjtë e malit e dinë se shumë votues e votuan LDK-në në zgjedhje, me shpresë se njëkohësisht po votojnë për ndërrimin e Isa Mustafës dhe zgjedhjen e Vjosës për kryetare të partisë. Mirëpo me sjelljen e saj pas zgjedhjeve, Vjosa Osmani në masë të madhe po zhgënjen ata. Ajo duhet të marrë primatin në LDK edhe në negociatat për formimin e Qeverisë, por edhe në funksionimin e qeverisë pas zgjedhjeve. Ajo duhet të fillojë në drejtim të pensionimit të Isa Mustafës dhe strukturave të tij në LDK, e jo në drejtim të rifaktorizimit të tyre.

Çështja e presidentit nuk guxon të bëhet alibi për të mos u arritur sa më shpejtë marrëveshje LDK-VV. Kur të vijë koha për zgjedhjen e presidentit (ishalla vjen para se Hashimi t’ia jep Trepçën Serbisë), VV dhe LDK duhet të ulen edhe njëherë bashkë dhe përmes negociatave serioze të përcaktohen për një figurë të pavarur, që i del zot këtij posti, e jo për të vazhduar me figura që mendojnë si ta japin më shpejtë Mitrovicën dhe Trepçën dhe si ta ndajnë Luginën e Preshevës.

Ndoshta dikush parashtron pyetjen (edhe pse nuk besoj), se çfarë halli ka ky nga Maqedonia që shet mend për zhvillimet politike në Kosovë, përgjigja është logjike se zhvillimet në Kosovë (qoftë pozitive, qoftë negative) reflektohen edhe në Maqedoni. Mirëpo duhet shtuar vetëm edhe diçka tjetër: Strukturat e korruptuara të politikës shqiptare në Maqedoni, që pas fitores së Albinit dhe Vjosës filluan të mbledhin plaçkat dhe të përgatiten për në opozitë, tani janë inkurajuar sërish duke akuzuar në stilin se “ja këta të rinjtë nuk dinë të qeverisin, prandaj ne edhe më tej duhet të mbetemi në pushtet”.