Venecia e vërtetoi se rezervat e Osmanit dhe Karakamishevës ndaj gjuhës shqipe kanë qenë të pabaza!

Komisioni i Venecias, solli një vlerësim shumë të drejtë se nuk ka mandat për të vlerësuar kushtetueshmërinë e ligjit për përdorimin e gjuhëve, sepse është çështje e brendshme në Maqedoni. Komisioni poashtu përshëndet zgjerimin e përdorimit të shqipes. Që është edhe më e rëndësishme Komisioni vlerëson se përdorimi i shqipes në bankënota dhe uniforma të ushtrisë është praktikë në disa vende të botës dhe nuk është në kundërshtim me normat ndërkombëtare.

Që të jemi të qartë dhe mos të biem pre e spekulimeve: Ligjin për gjuhët në Komisionin e Venecias e ka dërguar Qeveria ku zëvendës kryeministër është Bujar Osmani. Në Venecia shkojnë vetëm ligjet kur qeveria ose institucionet që e dërgojnë atje, kanë dilema nëse ai ligj është në pajtim me kushtetutën, ose jo. Kjo do të thotë se Qeveria ku merr pjesë BDI-ja, ka pasur dilema nëse mundet, ose nuk mund të përdoret ligji në Bankënota dhe në Uniforma. Statuset në facebook janë lojëra fëmijësh, kurse zyrtarisht kjo do të thotë se edhe Bujar Osmani, përderisa është zëvendëskryeministër në atë qeveri, ka pasur dilemat e njëjta me Tanja Karakamishevën rreth përdorimit të gjuhës shqipe (edhe pse pa asnjë dilemë ka nënshkruar licencën për bastoret e Mijallkovit). Më qartë se kjo, Zoti shnosh! Shyqyr që statusi i gjuhës shqipe nuk varet vetëm nga Bujar Osmani e Tanja Karakamisheva, sepse qentë hallin nuk do të na hanin, siç thotë populli.
Në konkluzat e Komisionit të Venedikut, jo mes rreshtave, por shumë qartë thuhet se ky ligj kot është dërguar atje. Të vetmin përfitim prej kësaj aventure e kanë Bujar Osmani dhe Tanja Karakamisheva të cilët u shëtitën një ose dy ditë deri në Venecian e bukur me paratë e popullit (me siguri do të marin edhe mëditje të majme nga buxheti).
Sigurisht që duhet pasur kujdes për përmbajtjen e konkluzave të Komisionit deri në fund, ku thuhet se “Komisioni vlerëson se NDOSHTA për momentin administrata veçanërisht në gjyqsor nuk ka kapacitet për implementim të përpiktë të ligjit andaj kërkon që të kemi fleksibilitet në këtë drejtim”. Kjo do të thotë se gati 18 vite pas luftës së vitit 2001, respektivisht pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, pushtetarët shqiptarë nuk kanë arritur të krijojnë kushte për implementim të këtij ligji. Kush ka qenë gjatë këtyre viteve në pushtet, me siguri ju vetë do të përgjigjeni të nderuar lexues.

P.s. Mos lejoni të krijohet eufori e rrejshme se gjoja gjuha shqipe u zyrtarizua në Maqedoni, eufori që do të sponzorohet me paratë e vjedhura nëpër tendere. Zyrtarizimi i gjuhës shqipe ende është larg realitetit dhe duhet punuar akoma shumë, pasi t’i pensionojmë ata që pa e konsultuar Komisionin e Venecias nuk janë të sigurt se a kemi të drejtë ta përdorim gjuhën tonë në uniforma e në bankënota .

Loading...