United i gatshëm të ofrojë Greenwoodin dhe para për yllin e Barcelonës

Mason Greenwood e ka ringjallur karrierën e tij në La Liga, pas problemeve të mëdha me ligjin në Angli.

Huazimi te Getafe nga Manchester United ishte i duhuri dhe Greenwood ka shkëlqyer duke bërë që tani edhe skuadrat e mëdha të vihen pas tij.

Barcelona, Juventus, Roma dhe Atletico Madrid janë katër klubet e mëdha që duan shërbimet e anglezit, por duket se katalunasit kanë përparësi.

Kjo për faktin se Manchester United ka filluar të interesohet për transferimin e sulmuesit brazilian Vitor Roque.

Roque iu bashkua Barcelonës në janar, por ai nuk ka arritur pritshmëritë deri më tani në Kataluni dhe ekziston mundësia që të largohet në verë.

Media të ndryshme në Angli dhe Spanjë kanë raportuar se Man Utd është i gatshëm të ofrojë te Barcelona yllin anglez Mason Greenwood dhe një shumë rreth 20 milionë euro për Vitor Roquen.

Dy klubet e mëdha evropiane pritet të futen në bisedime dhe mundësia është e madhe që të arrihet një marrëveshje duke marrë parasysh se Greenwood është në listën e dëshirave të Barcelonës dhe nga ana tjetër United e do transferimin e Vitor Roques.