Sa kushton b*tha

Valbona Reka

Në kulturën, ose hajde ta them në subkulturën tonë, në pjesën që ka të bëjë me të folurit, bytha shpesh e përfaqëson fytyrën, ose më mirë të them se shpesh herë është figurë për fytyrën. Prandaj kur ne themi “e ka shitur bythën”, në të vërtetë mendohet për fytyrën. Gjithashtu bytha shpesh simbolizon edhe lojalitetin, besnikërinë dhe prandaj thënia “e ka shitur bythën” simbolizon ndërrimin e lojalitetit, pra aderimin prej ndonjë tifozllëku në ndonjë tjetër. Më kujtohet kur babai im i pat thënë vëllait “po vetëm një bythë e ke, nuk mundesh në dy karrige përnjëherë të ulesh “ … nejse, në versionin dibrançe të babait ishte-bithë. Bëhej fjala përsëri për lojalitet, sepse vëllau me siguri ka qenë duke bërë diçka të pahijshme duke ndarë lojalitetin në dy vende konkurente e që sipas moralit të babait tim dhe të familjes në përgjithësi nuk është punë me vend.

E fillova këtë muhabet duke analizuar mënyrën se si sundojnë partitë politike në shoqërinë tonë. Si duket, ata që merren me strategjizimin e punës partiake e dinë shumë mirë këtë punën e prapanicës, më saktësisht e dinë se si blihet bytha, se si i bën njerëzit që përkundër bindjeve të tyre, përkundër dëshmive se e kanë gabim, përkundër faktit se kanë sy e vesh, përsëri vendimin e bëjnë me bythë dhe e shesin atë. E shesin bythën për një vend pune, për një leje ndërtimi, për ndonjë vendim gjyqi të favorshëm ose çkado diçka që bytha jostabile është e gatshme të bëjë që të vendoset sa më rehatshëm diku, që ta ketë sa më ngrohtë, ose të shpëtojë nga dënimi për ndonjë gabim që përsëri e ka bërë në moment dobësie ose babëzie. Kam filluar t’i dalloj tani këta njerëz, bythëshitur t’i quaj, ose bithëshitur si do të thonë në Dibër. Kam filluar ta dalloj hipokrizinë e njerëzve me dy bytha, të cilët një flasin në publik e tjetrën, të kundërtën e bëjnë ditën e votimit. Që në pamje duken të civilizuar dhe mendje hapur e në të vërtetë janë tejet primitivë dhe mendje mykur. Kam filluar në fakt ta njoh shikimin e këtyre njerëzve, ta njoh frikën në sytë e tyre, frikën se një ditë shitja e bythës do të bëhet publike, se ne të tjerët që definitivisht besojmë në parimin e njëbythësisë do ta kuptojmë lojën e tyre.