“Pak njohuri” në Maqedoninë e Veriut për inteligjencën artificiale

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut hezitojnë të përdorin inteligjencën artificiale për shkak të mosnjohurive digjitale, thotë Bojan Kordallov, ekspert i mediave digjitale, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Rezultatet e hulumtimit të Institutit për Hulumtime Politike në Shkup tregojnë se shumica e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, 57.8 për qind, e njohin termin inteligjencë artificiale, ndërsa 39.3 për qind nuk e njohin atë.

Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre, që janë shprehur se e njohin këtë term, kanë thënë se nuk i kanë përdorur shërbimet që ofron inteligjenca artificiale.

Inteligjenca artificiale është teknologji që avancohet çdo ditë e më shumë, e cila tenton të simulojë inteligjencën e njerëzve përmes përdorimit të sistemeve kompjuterike.

“Maqedonia e Veriut është shtet që ka rezistencë ndaj digjitalizimit të shërbimeve e lëre më përdorimit të inteligjencës artificiale. Kjo ndodh si rrjedhojë e shkallës së ulët të njohurive digjitale që kanë qytetarët”, thekson Kordallov.

Ndryshe, më pak se gjysma e të anketuarve – 48.4 për qind – gjatë periudhës kohore 21 – 24 mars të këtij viti nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup, besojnë se përdorimi i inteligjencës artificiale duhet të ndalohet ose kufizohet.

Merxhan Bajrami, inxhinier i inteligjencës artificiale, i cili udhëheq një kompani për krijimin e veglave për inteligjencë artificiale, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se rezistenca dhe besueshmëria e ulët e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ndaj inteligjencës artificiale e ka për bazë mungesën e debatit në këtë temë.

“Angazhimi direkt dhe debatet publike në këtë temë janë relativisht të ulëta. Kjo pastaj sjell një të metë të madhe që është mungesa e aftësive… çka paraqet një hendek të madh pasi kemi përdorim tepër të ulët të inteligjencës artificiale dhe për pasojë fuqia punëtore në çdo sferë do të jetë shumë e papërgatitur kundrejt hovit të madh që ka marrë inteligjenca artificiale”, thotë Mexhan Bajrami.

Ai e sheh si shumë problematike mungesën e rregullativës ligjore në Maqedoninë e Veriut sa i përket përdorimit të teknologjisë së avancuar.

Finik Doko, ligjërues në Fakultetin e Inxhinierisë Informative, thotë për Radion Evropa e Lirë se kompanitë e huaja janë të fokusuara në inteligjencën artificiale si profesion.

“ChatGPT e zgjoi vetëdijen për inteligjencën artificiale, mirëpo inteligjenca artificiale është shumë më shumë se ChatGPT. Në vendin tonë kanë ndikim të madh kompanitë e huaja të teknologjisë informative, të cilat punësojnë dhe ndihmojnë për rritjen e inteligjencës artificiale si profesion. Në popullatën tonë ekziston frika nga inteligjenca artificiale, mirëpo realiteti është që do të mundësojë krijimin e profesioneve te reja, do të pakësojë disa profesione aktuale dhe do të lehtësojë shume punë qe janë të përsëritshme, ose që marrin mjaft kohë për përfundimin e tyre”, thekson Doko.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë shprehur të ndarë në pyetjen nëse jeta në të ardhmen do të jetë më e lehtë apo më e vështirë me avancimin e inteligjencës artificiale.

Sipas të dhënave, 28.7 për qind besojnë se jeta do të jetë më e lehtë, 28.8 për qind se do të jetë më e vështirë.

Vetëm 9.9 për qind besojnë se nuk do të ketë ndryshim./REL