“Kur Kurti i thotë kërce, Vuçiq e pyet se sa” – deputeti i opozitës me akuza për pushtetin në Serbi

Në Kuvendin e Serbisë është duke u zhvilluar një seancë e cila ka filluar pak pas orës 11:00, ku thuhet se po shqyrtohen ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet lokale në mënyrë që zgjedhjet lokale dhe ato të Beogradit të mbahen njëkohësisht më 2 qershor.

Sipas mediave serbe, në seancë janë deputetët e opozitës që ka paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhje, si dhe ata që do të bojkotojnë zgjedhjet.

Por aty nuk ka mbetur pa u përmendur edhe Kosova, përkatësisht kryeministri Albin Kurti.

Deputeti i Partisë Demokratike, Srxhan Milivojeviq ka thënë se “falë (Aleksandar) Vuçiqit dhe lakmisë së tij për pushtet, Serbia është në krizën më të madhe politike në shekullin e 21-të”.

Siç ka theksuar ai, qeveria e Serbisë “e solli Serbinë në këtë pozitë” – duke shtuar se “opozita do të jetë në koalicion me qytetarët”.

Dhe në një moment ai ka treguar targat “KM” duke thënë se Vuçiq i ka dhënë gjithçka Kurtit, madje edhe atë që ai ka thënë se nuk do t’ia japë.

Madje, sipas Milivojeviq, “kur Kurti i thotë kërce, Vuçiq e pyet se sa”.

Më pas ai ka pretenduar se “opozita do të luftojë për fitore, por që atëherë qeveria do të përgjigjet dhe se nuk do të ketë amnisti”.