Kanxhallozi i “LEVICËS” shpalos platformën e tij!

Shkruan: Medai Shaholli

Dje kanxhallozi i “Levicës” Apasiev, për të inkurajuar militantët dhe trimat e tij në zgjedhjet parlamentare të radhës është shprehur lidhur për tre Platformat që “qarkullojnë” në këto zgjedhje, ku ka shpalosur “Platformën për Maqedoninë” për të cilën tha se ajo Platformë do të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve.

“Ai ka thënë se kemi tre platforma. E para është ajo e Tiranës, pas të cilës qëndrojnë parti neoballiste të pakicës shqiptare, pa marrë parasysh nëse është BDI apo VLEN – është koncept i njëjtë, që çon drejt minimit të shtetit. E dyta është Platforma e Sofjes, pas të cilës qëndrojnë partitë borgjeze maqedonase LSDM dhe DPMNE. Dhe, Platforma e tretë është Maqedonase me 5 pika për të mbrojtur integritetin territorial, sovranitetin dhe unitarizmin e Maqedonisë” – ka deklaruar kanxhallozi i “Levicës”.

Në këtë mënyrë kanxhallozi dhe shovinist pa maskë i “Levicës”, një majtist që s’ka të bëj fare me të majtën si orientim dhe ideologji të së majtës, kërkon të ndërtoj një rend kushtetues duke ruajtur dhe mbajtur të paprekur vetëm për “maqedonsat” e tij supremacinë e shtetit dhe të pushtetit njëlloj si SDSM-ja dhe VMRO-ja, statusin e kombit të vetëm të privilegjuar të supremacisë në “drzhavës Severna”!

Ky është shovinisti Apasiev rob i “ariut rus”, i vetequajtur i majtë, ku fatmirësisht e majta europiane nuk ndan ato pikëpamje dhe qëndrime të nacionalshovinizmit primitiv si kanxhallozi i “LEVICËS” ndaj fqinjëve të tij shqiptarë.

Sipas këtij valltari të kapur peng nga “ariu rus” dy taboret neoballiste shqiptare DUI dhe VREDI, kanë koncept të njëjtë për “drzhavën”, e cila të shpien drejt minimin të saj.
Ky përkufizim i shovinistit Apasiev për taboret shqiptare si qëndrime dhe synime nuk qëndron. Nuk qëndron pasi janë pikërisht deputetët e të dy taboreve që kanë ruajtur rendin kushtetues të “drzhavës Severna” duke votuar ndryshimet kushtetuese me 20% e turpit brenda saj më 11 janar të 2019, për hir të eurointegrimeve sakrifikuan dhe shkelën mbi interesat kombëtare.

Të dy taboret shqiptare edhe pse të rreshtuara djathtas, ku ndonjëra nga këta mbase është mburrur me të nacionalizmën e së djathtës shqiptare dhe në asnjë rast nuk kanë shfaqur ide neoballiste apo te neofashizmit siç pretendon t’i quaj kanxhallozi i “LEVICES”, por kanë qëndruar të moderuara përballë valës shfrenuese të nacionalshovinizmit të egër që ka ardhur shpesh nga kampi tjetër.

Që ta dish mirë ti shovinisti i hardallosur i “LEVICËS”, faktori politik shqiptar i cili është formësuar në dy taboret politike, ka hequr dorë qysh prej fillimit nga Platforma e Tiranës, pasi janë përshtatur me kushtet e qeverive të koalicionit dhe nuk kanë dashur të humbasin privilegjet dhe leverditë e tyre nga pjesëmarrja në ato qeveri apo si opozitë konstruktive dhe lojale ndaj qeverisë.

Këto janë qëndrimet e taboreve shqiptare, të cilat bëjnë pjesë në krahun e së djathtës së moderuar dhe nuk kanë pretendime të nacionalizmit, por thjesht janë konkurent në luftën politike brenda “drzhavës” si element lojal të saj.

Me këto dy tabore politike “drzhava” nuk ka rrezik të për të ardhmen e saj përkundrazi, ato janë gardienët më të mirë të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit brenda saj, përkundër statusit të pabarabartë në kushtetutë dhe me identitet gjuhësor të mohuar.

Ja këta janë formacionet tona politike që mbrojnë dhe e ruajnë rendi kushtetues të “drzhavës” më mirë se ti i mosndershmi kanxhalloz Apasiev.