Hetimi ndaj nipit të Ahmetit në vendnumëro, Prokuroria s’ka arritur t’i verifikojë provat

Prokuroria Themelore Publike katër muaj nuk ka arritur t’i verifikojë dhe sigurojë provat për lëndën ku Drin Ahmeti, nipi i kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, dyshohet për tregti ilegale me mjete piroteknike, pasi në mbrëmjen e 30 dhjetorit të vitit 2023 u arrestua nga policia.

“Në lëndën me mjetet piroteknike po ndërmerren veprime të verifikimit dhe sigurimit të provave”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Prokuroria nuk jep detaje se çfarë është bërë me ekspertizën e mjeteve piroteknike e cila u nis në janar të këtij viti, me qëllim që të vërtetohet vepra e mundshme penale.

Ahmetit, në natën kritike të 30 dhjetorit, gjatë një kontrolli të policisë në Shkup, në veturën e tij Range Rover me targa të Shqipërisë, i janë kapur rreth 750 copë mjete piroteknike, vlera të cilave arrin disa mijëra euro.
Për rastin në fjalë pati reagime edhe nga partitë opozitare duke theksuar se veprimtaria e Drin Ahmetit dëshmon se familja e kreut të BDI-së, është e përfshirë në biznesin me mjete piroteknike, gjë që është mohuar kategorikisht nga BDI.

Drin Ahmeti, u bë i njohur në opinion pasi u zbulua se ishte pronar i 39% të aksioneve të Qendrës Tregtare Soravia në Shkup. Pavarësisht se kostoja e aksioneve kushton disa miliona euro, Drin Ahmeti u sqarua para opinionit se ai këto aksione i kishte marrë pa investuar asnjë qindarkë. Sqarimi i tij, ishte se së bashku me biznes-partnerin e tij nga Shqipëria, Vladimir Pjetër Gjoka, e kanë blerë Soravian nëpërmjet linjës kreditore të bazuar në idenë e biznesit, të cilën banka ia ka besuar. Për dyshimet rreth shitblerjes së Soravias, Antikorrupsioni hapi lëndë, fati i të cilës ende nuk ka epilog. Pos tyre, edhe Prokuroria për ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion ka paralajmëruar se do ta hetojë rastin, por lënda ka mbetur ende në fazën e parahetimit./Alsat.mk