Greqi, “Air China” anulon fluturimet mes Pekinit dhe Athinës

Kompania “Air China” njoftoi se do të anulonte linjat ajrore mes Athinës dhe Pekinit, për shkak të koronavirusit COVID-19, sipas agjencisë greke të lajmeve “Ana”.

“Linjat tre herë në javë mes Athinës dhe Pekinit janë anuluar për muajin shkurt për shkaqe të ‘shëndetit publik’”, theksoi agjencia greke e lajmeve Ana.

Vetëm dy fluturime, më 15 dhe 29 shkurt janë mbajtur.

Për muajin mars, kompania ka informuar gjithashtu se do të realizojë vetëm katër fluturime gjatë muajit për shkak të epidemisë së pneumonisë virale që, sipas një bilanci paraprak, ka shkaktuar tashmë 1 100 të vdekur në botë, kryesisht në Kinën kontinentale.

Disa kompani ajrore si “Air France”, “British Airways”, “Air Canada”, “Lufthansa”, “American Airlines”, “United Airlines”, “American Airlines” apo “Delta” kanë pezulluar që prej janarit fluturimet e tyre drejt Kinës kontinentale në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit.

Kina ka mbyllur gjithashtu portat e disa qyteteve të saj dhe ka ndaluar udhëtimet e organizuara të shtetasve brenda vendit dhe drejt shteteve të huaja në përpjekje për të parandaluar kontaminimin.

Më shumë se 320 raste të kontaminimit janë konfirmuar në 30 vende dhe territore.

Loading...