Gjermania paralajmëron për pasojat e sulmit të dyshuar kibernetik rus

Rusia do të përballet me pasoja për sulmin kibernetik që dyshohet se është orkestruar nga një grup që ka lidhje me inteligjencën e saj ushtarake, ka njoftuar Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Gjermania është një ndër shtetet perëndimore që i kanë ofruar mbështetje Ukrainës në luftën e saj me Rusinë.

Ndihma u bë shkak që presidenti rus, Vladimir Putin, të deklarojë se lidhjet midis Rusisë dhe Gjermanisë janë të ngrira, shkruan Reuters.

E në janar të vitit 2023, Berlini tha se hakerë rusë kanë ndërhyrë në disa faqe gjermane si përgjigje e ndihmës ushtarake gjermane në Ukrainë.

“Tani qartë mund t’ia atribuojmë sulmin e vitit të kaluar grupit rus APT28 i cili kontrollohet nga shërbimi rus i inteligjencës ushtarake GRU”, tha Baerbock.

“Me fjalë të tjera, hakerët rusë kanë sulmuar Gjermaninë në hapësirën kibernetike. Kjo është krejtësisht e papranueshme dhe nuk do të mbetet pa pasoja”, shtoi ministrja.

Ndryshe, së fundmi agjencia gjermane e sigurisë kibernetike dhe studiues që punojnë për kompaninë mëmë të Google, Alphabet, thanë se një grup i ngjashëm i quajtur APT29 ishte kapur duke synuar vjedhjen e të dhënave të disa partive politike gjermane.