BE-ja thotë se i gëzohet bashkëpunimit me Qeverinë e re të Serbisë

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se i gëzohen vazhdimit të bashkëpunimit me Qeverinë e re të Republikës së Serbisë, në përpjekjet e saj për të realizuar qëllimin strategjik të vendit, që është anëtarësimi në BE.

“Serbia e di shumë mirë se pritjet e BE-së janë të tilla që ajo duhet të bëjë gjithçka që është e nevojshme, për t’i përmbushur kriteret e domosdoshme, sidomos kur bëhet fjalë për politikën e jashtme… Ajo duhet të përshtatet gjithnjë e më shumë me vendimet dhe pozicionin e BE-së kur është në pyetje politika e jashtme”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Kryeministri në ardhje i Serbisë, Millosh Vuçeviq, do të ketë një kabinet që do të përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.

Pjesë e tij si zëvendëskryeministër do të jetë edhe ish-kreu i shërbimit inteligjent të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – mes tjerash, për shkak të lidhjeve me Rusinë.

Nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, do të jetë edhe Nenad Popoviq, si ministër pa portofol.

“Kur i përmendni ata persona në veçanti, për shembull veprimet dhe deklaratat e zotit [Aleksandar] Vulin në periudhën e kaluar, ato janë në kundërshtim me përcaktimin strategjik të Serbisë… kur bëhet fjalë për obligimet që kanë të bëjnë me procesin e anëtarësimit [në BE] dhe lidhjet kundërproduktive me regjimin rus. Më lejoni ta përsëris edhe një herë – anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një zgjedhje strategjike dhe nga Qeveria serbe presim që, pavarësisht nga përbërja e saj, të tregojë përkushtim në rrugën evropiane, për të mirën e popullit të saj dhe për besueshmërinë e saj”, tha Stano.

Ai shtoi se anëtarësimi në BE është bërë qëllim strategjik nga autoritetet serbe, andaj pritet që çdo anëtar i Qeverisë të punojë sa më shumë për të.

Një ditë më herët, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është i zhgënjyer me propozimet për Qeverinë e re të Serbisë.

Kuvendi i Serbisë, aktualisht, është duke vazhduar seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Pas diskutimeve do të bëhet votimi dhe betimi i Qeverisë së re./REL