Ahmeti dhe BDI ranë në kurthin e vet

Shqiptarët nuk mund të presin përjetësisht BDI-në të qeverisë me ‘’duar të pastra’’

Shkruan Fatos Rushiti

Kur jemi në mes të fushatës parazgjedhore subjektet politike nga dy taborret më shumë e dramatizojnë opinion publik se kush me kë ka të drejtë të formojë Qeverinë se sa të dalin me projekte madhore për t’i propozuar qytetarëve një Qeverisje të re më ndryshe se sa ishin qeveritë e kaluara. Por në situatë më të zorshme politike duket BDI e cila nuk e imagjinon dot veten në del në opozitë. Mickoski thuajse për çdo dalje publike e injoron këtë parti dhe nuk e llogarit fare si bashkë pjesëmarrëse në Qeveri.

BDI ka ra keq në kurthin që vetë ua ka bërë kundërshtarëve politikë. Në kampin shqiptar ajo përdori në Qeveri tre partitë shqiptare ku njëkohësisht edhe kishte nevojë për to edhe i pengonte të qeverisin “rahat” me poste qeveritare. Tek kampi maqedonas BDI theu vetë parimin ‘’fituesi me fituesin’’ ku edhe pse VMRO doli e para në zgjedhje me vota dhe me deputetë, u detyrua nga BDI të del në opozitë sepse kjo e fundit bëri koalicion me LSDM-në.

Ndaj BDI-së janë inatosur të gjithë veç një pjese të partive të vogla, si PDE, ASH e Selës e PDSH e Thaçit që tani më po i shërbejnë përulshëm e çuditshëm në zgjedhje. Kjo nga fakti se PDSH e ASH, pra dy liderët Thaçi e Sela ishin mundur me vite duke përfshirë dhe metodat jo demokratike e tani i bëhen argat i partisë së Ahmetit. BDI me veprimet e fundit për t’i rënë në prehër Mickoskittë i cili me gjasë herë pas here i parafytyrohet si Gruevski, bie në kundërshtim me sloganin e partisë ‘’Thuaj jo Rusisë , po Evropës’’ duke e lidhur Rusinë me VMRO-në.

Me stilin e qeverisjes lokale të BDI-së ishin lodhur edhe nga LSDM-në. Maksim Dimitrievski kryetari i një partie të re politike që ishte surpriza e zgjedhjeve presidenciale, që momentin e parë sa ishte në LSDM kur mori mandatin si kryetar i komunës së Kumanovës nuk e mori në koalicion BDI-në por mori ASH-në dhe Alternativën.
Kështu është kur mendon vetëm për vete e nuk mendon mirë për të tjerët. BDI ishte përjashtuese dhe intriguese ndaj të gjitha subjeketeve politike. Nga ana tjetër rrinte në Qeveri vetëm për ‘’punë të domosdoshme’’ duke mos rënë në sy me iniciativa më të mira për qytetarët. As në sport, as në turizëm, as në kulturë, biles duke i rënë pishman edhe agjendës së gjelbërt që promovoi gjatë zgjedhjeve të kaluara. Të thuash se ishte kot në qeveri, është pak e rëndë për gjitha ata alamet ministra, zëvendësministra, kryeparlamentar, drejtor, zëvendësdrejtor, një pjesë e të cilëve i manipulonin edhe vetë simpatizantët e vetë kur me vite nuk i punësonin e avanconin në institucionet publike por i mbanin peng për përdorim njëditor zgjedhor.

Kjo parti e kishte në dorë fatin e implementimit të ligjit për gjuhët që vërtetë të linte një gjurmë të mirë në qeverisje, dreqi ta hajë, por asaj i interesonte si të mbushnin xhepat edhe më shumë e dhe më ‘’rrastë disa nga funksionarët e saj’ të pamëshirshëm e me sjellje kriminale në shumë raste.
BDI nuk bëri asgjë edhe për kategoritë e dalura nga lufta e 2001-it, që t’u mundësonte atyre benifite nga shteti por vazhdon t’i përdor ultësisht për qëllime politike dhe zgjedhore.
Nga ana tjetër krekosej se mori poste të rëndësishme qeveritare si ministrinë e e financave por dhe atë të kryeministrit teknik, por këto i konvenonin vetëm kësaj partie pa mos e mohuar faktin se marrja e postit të kryeministrit teknik në njëfarë mënyre ishte mesazh për palën maqedonase se vërtetë na duhet një barazi më e madhe politike mes dy etniteteve për t’i ikur kujdesshëm barazisë kushtetuese që maqedonasit duket se tmerrohen kur e dëgjojnë. Por kjo nuk mjaftoi dhe menjëherë u pa se kryeministri teknik përveç arrogancës dehëse që e shfaqi në disa raste, nuk përbënte asnjë lajm më të mirë për shqiptarët.

Kësaj partie nuk duhet mohuar se bëri të mundur krijmin e institucioneve të reja si Universiteti Nëna Terezë, Ansamblin Shtetëror të këngës dhe valleve, dhe institucioneve tjera teatrore e muzikore, por se personalizimi e përvetësimi i menaxhimit me kuadro tërësisht partiak zvetënoi të arriturat e këtyre institucioneve.

Por ky sistem i qeverisjes i BDI-së ishte në koherencë të plotë edhe me sistemin e qeverisjes së dy partive kryesore maqedonase LSDM-së dhe VMRO_së. Kjo u pa edhe me ndryshimine Kodit Penal ku tmerrësisht e komikisht çuditshëm u ulën dënimet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare me çka pati kundërshtime të forta nga ambasada amerikane nga BE por më e zëshmja ishte Holanda siç ka qenë e zëshme edhe ndaj shteteve tjera për raste të ngjajshme më herët. Këto ndryshime i konvenuan edhe një pjese të VMRO-së ku shumë ish eksponentë të saj tanimë nëpër burgje të dënuar për korrupsion të lartë, iu ulën dënimet. Pa faj nuk mbetën as partitë tjera shqiptare meqë në momente më të sikletshme të BDI-së i mundësuan asaj të vallzojë si të dojë me qeveisjen.

Kur i themi të gjitha këto vie natyrshëm pyetja, mos vallë po flasim kundër legjitimitetit të qeverisjes nga fakti se BDI për 22 vite del e para në zgjedhje. Pa dashur të kujdesem për shantazhet, blerjen votës, kërcënimet, mashtrimet ndaj një pjesë të popullatës, që e kanë karakterizuar këtë parti kohë pas kohe dhe në raste të caktuara nëpër tre njësitë zgjedhore, përsëri nuk duhet përjashtuar kompaktësia konjukturale partiake, stili ofrues i Ali Ahmetit për grupet e interesit, në dobi të fitimit të zgjedhjeve.

Por Maqedonia është demokraci parlamentare, dhe në këtë mes shqiptarët nuk munden përjetësisht të presin BDI-në të qeverisë më ndryshe, më mirë e me duar të pastra në Qeveri.