Gjykata e ka dënuar Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.
Sekiraqës i është ndërprerë edhe masa e arrestit shtëpiak.
Në seancën e fundit, më 29 prill, Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Sekiraqës derisa ky i fundit kishte deklaruar se me ish-policin s’kishte pasur probleme më herët.
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vjetësh.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.
Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.
Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthejë në paraburgim Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.
Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.