Zhelina i mbetet Lëvizjes Besa

Gjykata Administrative rrëzoi vendimin e Komisionit të Zgjedhjeve dhe vendosi që në Zhelinë të mos ketë rivotim. Komuna i mbetet Blerim Sejdiut nga Lëvizja Besa i cili punën e rivotimit e quan përpjekje kriminale për ta vjedhur komunën.

“Fakte nuk ka pasur edhe më herët edhe ajo ishte një tentativë kriminale për ta vjedh një komunë e cila është fituar në mënyrë demokratike me zgjedhje të lira me vota të qytetarëve që kanë dalë edhe votuar dhe ishte një tentativë që pasi përfundoi gjith­çka dhe pasi u pa rezultati se dikush doli fitues e dikush humbës, normalisht humbësit tentuan të përdorin një mekanizëm kriminal të errëta edhe të bëjnë disa ankesa të pa baza për shkak se proces verbalet ishin shumë të pastra”, tha Blerim Sejdiu, kryetar i Komunës së Zhelinës.

Sejdiu votimin e KSHZ me 6 vota pro rivotimin e quan votim kriminal pasi që, siç thotë, kanë marrë parasysh një ankesë të një vëzhguesi kur në fakt proces verbali ka qenë në rregull.

“Komisioni Shtetërorë Zgjedhor ka bërë krim haptas. Ata në mënyrë jo profesionale janë qasur kësaj pasi që një vëzhgues ka dorëzuar një ankesë pasi nuk kanë pasur fakte aspak dhe KSHZ duhet t’i vërtetojë njëherë faktet, thotë dikush diçka a është e vërtet, jo të konstaton në mënyrë politike”, tha Sejdiu.

Edhe kandidati i BDI-së për Zhelinën, Fatmir Izairi, në një status në Facebook ka shprehur qëndrimin e tij sa i përket vendimit të Gjykatës Administrative.

“Vendim politik ose korruptiv??!! në Gjyqin Administrativ. Një Zot e di.

Sidoqoftë, Ju qoftë me hajr kryetari aktual banorëve të Komunës së Zhelinës!

Urime edhe Lëvizjes Besa!”, shkroi Fatmir Izairi, kandidat i BDI-së për Zhelinën.

Dallimi në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale në Zhelinë ishte vetëm 69 vota, të cilat ishin për kryetarin aktual Blerim Sejdiu, ndërsa Fatmir Izairi nga BDI dorëzoi ankesë në KSHZ që u pranua, por u rrëzua nga Gjykata Administrative. Çështja e rivotimin në Zhelinë u bë edhe shkak që Besa të paralajmërojë daljen nga Qeveria si dhe bashkëngjitjes së nismës së opozitës për rrëzimin e Qeverisë.