Përplasjet e përditshme mes LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së për thuajse të gjitha temat e mundshme janë normale për një shtet ballkanik si Maqedonia e Veriut, në prag të zgjedhjeve. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët presin që me afrimin e zgjedhjeve të ashpërsohet fushata negative, e cila ka për qëllim të anatemojë subjektin kundërshtar politik dhe jo të afirmojë projektet apo idetë politike që i ka një subjekt i caktuar. Profesori, Sefer Tahiri pret që partitë të përplasen edhe për tema të mëdha siç janë: sistemi i drejtësisë, Ligji i gjuhës, Marrëveshja e Prespës, integrimi në BE dhe në NATO.
Këto zgjedhje do të jenë shumë të rëndësishme, si për VMRO DPMNE-në ashtu edhe për LSDM-në, në kuptimin që humbësi i këtyre zgjedhjeve do të implikojë edhe ndryshimin e lidershipit të partive dhe normalisht motivimi i dy subjekteve politike për të marrë së ma shumë vota në këto zgjedhje do të jetë i madh. Nuk do të kursehen asnjë mjet i politikës, përfshirë këtu edhe propagandën, spinimin, përdorimin e informacioneve apo lajmeve që vihen në kontekste të caktuara politike. Dhe mendoj që kjo fushatë do të ashpërsohet sa afrohet dita e zgjedhjeve”-pohoi Sefer Tahiri, komunikolog
Puna e vetme e mirë e kësaj qeverie teknike, sipas profesorit, Nikolla Dujovski, jofunksionale dhe e panevojshme, është se askush nuk do t’i kontestojë zgjedhjet. Ai thotë se vazhdimisht do të përballemi me “turbulenca” mes partive kundërshtare politike, por nëse do të ketë edhe “përplasje” mes partive të bashkësive të ndryshme etnike, mund që të njëjtat të ndikojnë në marrëdhëniet ndër-etnike në vend.
Është mirë që edhe kryetari i LSDM-së, Zaev edhe ai i VMRO DPMNE-së, Mickoski apelojnë të qetësohen pasionet. Është skajshmërisht e panevojshme të përdoren fjalë të pahijshme, të stigmanitizohen personalitete të ndryshme. Nuk është në rregull për politikanët modern të shekullit XXI. Politikanët duhet të udhëhiqen nga ideja se duhet të qetësohen “gjakrat” dhe të mos i hedhim “benzinë” zjarrit. Thjeshtë, shtetit tonë tani i nevojiten shumë reforma, presim anëtarësim në NATO, presim fillim të negociatave me BE-në, ndërsa sillemi sikur të jemi në periudhat e kaluara”-pohoi Nikolla Dujovski, profesor.
Që nga formimi i Qeverisë teknike, ideja e së cilës është që partitë politike të bashkë-qeverisin për 100 ditë deri në përfundimin e zgjedhjeve, LSDM e VMRO DPMNE janë përplasur për çështje të ndryshme, duke filluar nga kuadrot e reja e deri tek nënshkrimi i Marrëveshjes përfundimtare për anëtarësim në NATO.