Zaev: Mosrespektimi i protokollit për vaksinim është vepër penale

Kryeministri Zoran Zaev dënon aktin e marrjes së vaksinës nga sekretari i spitalit të Ohrit, për shkak se ai nuk e ka respektuar radhën dhe planin e Ministrisë së Shëndetësisë, sipas të cilit me dozat e para do të vaksinoheshin vetëm personeli mjekësor nga qendrat Kovid. Ai kërkon që të merren hapa konkret për këtë rast, në mënyrë që raste të tilla të mos shtohen, por të shkohet rreptësisht sipas protokolleve.

Zoran Zaev, kryeministër

“Është vepër penale sepse është jashtë planit të vaksinimit. Kështu që besoj se do të ndërmerren hapa konkret, që të mos përsëriten raste të këtilla dhe të shkohet rreptësisht sipas protokolleve, i cili është bërë publik nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Është me rëndësi që të shkojmë me radhë sepse jo rastësisht është vendosur plani në atë mënyrë. Nëse njëri e shkel planin, atëherë atë do ta bëjnë të gjithë”

Keqpërdorimin dhe shkeljen e Planit nacional për vaksinim, e dënoi ashpër edhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe. Filipçe thotë se listat për vaksinim u janë dorëzuan nga ana e drejtorëve të institucioneve shëndetësore dhe të njëjtit menjëherë do të rishikohen, dhe ata të cilët kanë bërë keqpërdorime, do të sanksionohen.

Ndërkaq, drejtori i spitalit të Ohrit e arsyeton veprimin e sekretarit të spitalit të tyre. Goran Baleski thotë se sekretari është vaksinuar sepse është gjatë gjithë kohës me ekipin mjekësor në qendrat Covid, mirëpo shtoi se nëse është e nevojshme do të mbaj përgjegjësi për këtë gjë.

Goran Baleski, drejtor i spitalit të Ohrit

“Sekretari i spitalit Antonio Naumovski nuk është administrator i thjeshtë, ai është vazhdimisht me ekipin mjekësor i cili hyn në qendrat Covid, në mesin e pacientëve në shoqërim të ekipeve profesionale nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor për të bërë inspektime në spital. Unë jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe jam i gatshëm t’i mbartë pasojat nëse kjo kërkohet”.

Filipçe kur nisi procesi i vaksinimi pati deklaruar se nuk do të vaksinohet që të mos zërë vendin e punonjësve që punojnë nëpër qendrat Kovid.
/SHENJA/