Në intervistën e dhënë për portalin A1On, kryetari i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë ka folur lidhur me hapat që do të ndërmerren deri në formimin e qeverisë së re. Zaev ka thënë se negociatat për qeverinë do të fillojnë në gusht. I pyetur nëse do të përfshijë BDI-në në qeverinë e ardhshme, Zaev ka dhënë përgjigje interesante, transmeton Gazeta Lajm.
“LSDM është parti e madhe, zemërgjerë dhe e hapur dhe do të bisedojmë për koalicionim me të gjitha partitë që janë të gatshme ta pranojnë konceptin evropian, demokratik, liridashës dhe rrugën që Maqedonia e Veriut po e ecë si anëtare e NATO-s. Strukturat që përfaqësojnë ide që dallojnë nga koncepti evropian dhe demokratik nuk i takojnë koalicionit të ardhshëm qeveritar të udhëhequr nga LSDM, sepse ato opsione retrograde dhe konfliktuoze janë mposhtur ose janë margjinale”, ka theksuar Zaev.
Duke komentuar deklaratën e Bujar Osmanit për gazetën greke Etnos se BDI do ta kërkojë mandatin, Zaev ia ka treguar vendin duke e rikujtuar se mandatin e merr partia e parë, kurse BDI është partia e tretë.