Reagime të shumta shkaktoi intervista e kryeministrit Zoran Zaev për televizionin bullgar BGNES. Nuk munguan as pyetjet e gazetarëve për të cilat kryeministri sikur të ishte përgatitur me fjalim të shkruar paraprakisht. Para gazetarëve vendas deklaroi se ka qenë tërësisht i vetëdijshëm për reagimet, por si i pari i ekzekutivit e ka pasur patjetër të marrë përgjegjësi për të inkurajuar lëvizje drejt zgjidhjes së çështjeve të hapura me Bullgarinë. Evropa i zgjidh çështjet në mënyrë evropiane, tani është koha që këtë ta bëjë edhe Ballkani nëse dëshiron të vazhdojë drejt Evropës, tha Zaev. I pyetur pse okupimin bullgar e krahason me administratën në intervistën për televizionin bullgar, Zaev tha se përgjigjja bazohet në fakte historike që mund t’i konfirmojnë të gjithë.
“Flas për fakte historike që mund t’i vërtetojnë të gjithë. Ndërsa kjo është se mbretëria bullgare në vitin 41 qëndron në anën e paktit tri-palësh të fashizmit. Në ato momente askush nuk i ka pyetur bullgarët për referendum, e nuk i ka pyetur as për përcaktimin e tyre. Por kjo nuk është arsye që të thoni se një popull i tërë maqedonas, shqiptarë, bullgar, serb, se është okupator. Andaj them administratë”, u shpreh Zaev.
Kryeministri i Maqedonisë nuk mohon se në territorin e të gjithë shtetit janë hequr pllakat ku shkruhej okupator fashist bullgar. U pyet se kush e ka sjellë vendimin e tillë?
“Kjo gjë është bërë në tërë territorin e shtetit, në shumë vende kompetente janë komunat. Bëhet fjalë për përmendore…Sipas marrëveshjes për miqësi me Bullgarinë dhe sipas obligimit për ruajtjen e miqësisë mes të dy vendeve ndërsa e kanë marrë përsipër të dyja palët, është vepruar në pjesën e ndërtimit të miqësisë”, tha Zaev.
Përndryshe në lidhje me intervistën e Zaevit përveç reagimeve të shumta të qytetarëve në rrjetet sociale u publikuan edhe statuse të disa historianëve dhe anëtarëve të komisionit aktual historik.
Lubica Spaskovska, anëtar aktual i komisionit historik, në profilin e saj në Facebook ka shkruar: politikanët të mos komentojnë tema që nuk i kuptojnë.
“Si anëtare e pjesës maqedonase të komisionit, unë personalisht distancohem dhe i gjykoj deklaratat e fundit të Kryeministrit dhe apeloj që politikanët të përmbahen nga pohime dhe komentime për të cilat nuk kanë njohuri dhe nuk janë nga sfera e njohurive dhe ekspertizës së tyre”, thotë anëtarja e komisionit Lubica Spaskovska.
E kaluara historike nuk duhet të na kufizojë drejt rrugëtimit të rrugës evropiane, tha sot Zaev duke i komentuar reagimet në mediat sociale.TV21