Mbajtja urgjente e zgjedhjeve është e domosdoshme dhe është shumë e rëndësishme t’i kthejmë institucionet të cilat duhet t’u shërbejnë qytetarëve me kapacitet dhe legjitimitet të plotë. Kjo është e domosdoshme edhe për ballafaqimin më të mirë me krizën shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga Kovid-19. Data e zgjedhjeve nuk është dhe nuk mund të jetë as dëshirë personale e as partiake, është e caktuar me kushtetutën dhe ligjet, porositi në profilin e tij në FB lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
“Në takimin tek Pendarovski, Hristian Mickoski nuk përmendi as Sh për shëndetin e qytetarëve, as Sh për shëndetësinë apo krizën shëndetësore. Qytetarët këtë e dinë. Pikërisht Mickoski shëtitej nëpër kafene e palestra, shkelte masat ndërsa ministri i tij Çulev e minoi sistemin brenda dhe e rrezikoi shëndetin e qytetarëve. Për tre vite VMRO-DPMNE bënte obstruksione, frenime, bojkotime. VMRO-DPMNE kërkonte zgjedhjeve të parakohshme, dhamë zgjedhjet të parakohshme. Nga dhjetori e këtej janë duke gjetur arsyetime vetëm t’i anulojnë, pasi e dinë se qytetarët do t’i dënojnë, e dinë se do të humbasin. Nuk ka më si të ikin, nuk ka anulim. Mjaft më!, thekson Zaev.
Sipas tij, druajtja nga dështimi në zgjedhjet nuk duhet të jetë arsye për cilëndo parti të bojkotojë zgjedhje ose të kërkojë anulimin e tyre dhe me atë t’i vë në rrezik edhe popullin edhe shtetin.
Të gjitha kushtet ligjore dhe kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve janë plotësuar, potencoi Zaev dhe shton se KSHZ si trup ekzekutiv ka për obligim t’i zbatojë zgjedhjet të cilat me ligj dhe Kushtetutë janë më 5 korrik.
“Për mosveprimin sipas ligjit pason përgjegjësi. Nuk do të lejojmë Mickoski ta shtyjë vendin në krizë institucionale, pa Kuvend dhe Qeveri politike, nuk do të lejojmë që të rrezikohet siguria dhe shëndeti i qytetarëve. Ne nuk dëshirojmë zgjedhje pa opozitë, por nëse Mickoski vendosë për këtë, ne do të dëshmojmë çfarë mund të bëjmë në një mandat pa sabotime”, thekson Zaev në profilin e tij në FB./MIA