Zaev: Besoj se të gjithë do të jemi të matur në propozimin e kandidatëve për qeverinë teknike

Besoj se të gjithë do të jemi të matur dhe të kujdesshëm gjatë propozimit të kandidatëve, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev, i cili vonë pasdite do të ketë takim me liderin e VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristian Mickoski, për kandidatët në Qeverinë kalimtare që duhet të fillojë prej 3 janarit, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për më 12 prill të vitit të ardhshëm.

Zaev konsideron se nuk ka nevojë për takim të posaçëm me partnerin e koalicionit dhe lider i BDI-së, Ali Ahmeti rreth kandidatëve për qeverinë kalimtare dhe theksoi se për atë mund të konsultohen edhe përmes telefonit. Ai nuk pret probleme nga aspekti kadrovik, që të ketë nevojë për lloje të posaçme të koordinimeve, takimeve dhe të ngjashme.

Takimi me Mickoskin, përsëriti Zaev, realizohet për shkak të obligimit ligjor ku kryetari i partisë më të madhe politike opozitare duhet të takohet dhe të bisedohet me kryetarin e partisë më të madhe në pushtet dhe partinë e dytë më të madhe në pushtet.

“Ai sot realizon takim me mua për konsultim për kandidatët për qeverinë kalimtare, ndërkaq realizon takim edhe me z. Ali Ahmeti për koordinim për kandidatët për qeverinë kalimtare. Ne nuk kemi nevojë për ndonjë bisedë mes meje dhe Ahmetit për takime apo të ngjashme. Sipas të gjitha gjasave vetë emrat të cilat do të shqyrtohen nëse kemi ndonjë nevojë shtesë si partnerë të koalicionit mund të dëgjohemi edhe përmes telefonit dhe të bisedojmë edhe njëherë nëse me të vërtetë të dyja palët qëndrojnë në zgjidhjen e këtillë obliguese, të përcaktuar me ligj. besoj se do të jemi të gjithë të matur në kujdesin e propozimit të kandidatëve”, tha Zaev.

LSDM, shtoi Zaev, i propozoi kandidatët e vet dhe i kumtoi publikisht. “Ata janë persona të njohur të cilët i shërbyen deri sot shtetit. Besoj se nuk do të kemi probleme nga aspekti kadrovik për të realizuar koordinime të posaçme, takime apo të ngjashme”, theksoi kryeministri Zaev.

Ai potencoi se gjatë periudhës së kaluar, gjatë kryesimit me Qeverinë, ka sjellë vendime të guximshme në dobi të qytetarëve dhe shtetit, duke i cekur marrëveshjet me shtetet fqinje në kontekst të perspektivave euroatlantike.