Zaev: Administrata po zvogëlohet! Paralajmëron administratë të lirë nga prangat partiake

Administrata do të zvogëlohet dhe do të vendoset në shërbim të qytetarëve – është decid kryeministri Zoran Zaev në intervistë për MIA. Shton se në strukturën e administratës së deritanishme ende ndjehen pasojat e partizimit masiv të administratës, që, sipas tij, ka zgjatur 11 vite, përkatësisht deri në vitin 2017 dhe deri te zbatimi i, siç e quan ai, operacionit “shtet i robëruar”. Qeveria e RMV, ka shtuar Zaev, krijon administratë e cila do të lirohet nga prangat partiake dhe do të fokusohet në zgjidhjen e problemeve të personave fizik dhe juridik, duke respektuar parimet ligjore dhe paanshmërinë gjatë kryerjes së veprimtarisë.

“Dhe tani duhet të punohet, shumë të punohet, çdonjëri prej nesh të jap maksimumin, ndërsa kjo vlen për çdo nëpunës shtetërorë. Ja shembull – kush është i gatshëm të punojë dhe të jetë në shërbim të qytetarëve nga të cilët paguhen, nuk duhet të brengoset për asgjë. Kuptohet një pjesë e administratës natyrisht do të gravitojë drejtë biznes sektorit, ndërsa një pjesë do të pensionohet në përputhje me kornizat ligjore. Në çdo rast, politika qeveritare është e qartë – administrata do të zvogëlohet dhe do të jetë më shumë në shërbim të qytetarëve”, deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Në intervistën për MIA, kryeministri theksoi se Qeveria, të cilën e udhëheq ai edhe këtë mandat edhe mandatin e kaluar, punon në bazë të parimit se askush nuk do të dëbohet nga puna për shkak të revanshizmit. Përkundrazi, thotë se kemi hyrë në procesin e reformës së thellë në administratën publike. Para pak kohësh në Kuvend me procedurë të shkurtër u miratua Ligji për shpërndarjen e administratorëve të cilët marrin pagë ndërsa qëndrojnë në shtëpi. Miratimin e Ligjit, zv.kryeministri i parë, Grubi, e cilësoi si arritje në 100 ditët e para të Qeverisë. Ligji u përshëndet edhe nga BDI, por i përmbajtur gjatë votimit ishte Izet Mexhiti. Ai ka dyshime rreth shpërndarjes së administratorëve.

“Modeli “merr ose lëre” len hapësirë që këtyre personave t’u ofrohet vend pune jo-adekuat me shkollimin ose ambiciet e tyre për zhvillim, ose që nuk janë në përputhje me planet e para kur ata persona janë punësuar. Nëse ata do të kishin punuar, me përvojën e tyre sot do të ishin në vende udhëheqëse të institucioneve”, potencoi Izet Mexhiti nga BDI.

Sipas Ligjit të ri të propozuar, administratorët do të duhet të fillojnë në punë menjëherë, ndërsa do të kenë dy mundësi për të vendosur se në cilin institucion do të sistematizohen. Nëse refuzojnë do tu ndërpritet marrëveshja për punë. Çështja e sistematizimit të administratës u aktualizua në vitin 2018 nga ministri i atëhershëm për administratë, Damjan Mançevski, por asnjëherë nuk u përfundua.