VV e vetme, askush s’e përkrah në rrëzimin e Qeverisë

Avdullah Hoti dhe Albin KurtiMurseli: AKR nuk do ta përkrah mocionin e Vetëvendosjes
Çështja e mbledhjes së votave për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti, ka nisur të përflitet nga Lëvizja Vetëvendosje muaj më parë.

Mirëpo, mesa duket Vetëvendosjes plani nuk po i shkon sipas parashikimeve të tyre.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në fillim të muajit gusht në Kuvendin e Kosovës deklaroi se partia të cilës i përket ai, do të nisë mbledhjen e nënshkrimeve për mocion të mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri, Avdullah Hoti.

Lidhur me këtë iniciativë, VV-ja i kishte njoftuar edhe partitë tjera parlamentare, atë opozitare Partinë Demokratike e Kosovës (PDK), dhe partitë në pushtet, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, si dhe Grupin Parlamentar 6 plus.

Por, siç po shihet thirrja e Vetëvendosjes, ka rastisur në “vesh të shurdhur” dhe kjo e shtyu deputeten e VV-së, Albulena Haxhiu para pak ditëve që të kërkoj prapë mbështetje për mocionin e mosbesimit.

Gjithë këto kërkesa dhe lutje të partisë më të votuar në vend, nuk po mund të gjejnë përkrahje nga partitë në vend, e veçmas nga Partia Demokratike e Kosovës.

VV-ja mendon se qeveria aktuale është e paaftë për të qeverisur vendin, për të menaxhuar pandeminë, dhe se i mungon plani adekuat për rimëkëmbje ekonomike.

Për mbajtjen e seancës për shqyrtimin e mocionit të mosbesimit nevojiten 40 nënshkrime të deputetëve. VV-ja i ka 31 deputetë në grupin e saj parlamentar.